Arbëri

Kurti: Strategjia e energjisë do të sigurojë furnizim të rregullt për amvisëri dhe biznese

Qeveria e Kosovës ka prezantuar grupin punues për Strategji të Energjisë 2022-2031, me ç’rast kryeministri Albin Kurti ka thënë se sektori i energjisë është sektori prioritar për Qeverinë e Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se gjatë 20 vjetëve të fundit në vend nuk ka pasur asnjë vendim më të mirë për qytetarët në këtë sektor, prandaj siç u shpreh ai me anë të kësaj strategjie do të sigurohet furnizim i rregullt i energjisë për amvisëri ashtu edhe për biznese, për të pasur zhvillim ekonomik dhe punësim.

Me këtë strategji të energjisë, Kurti tha se prioritet do të jetë bashkëpunimi me Shqipërinë.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se me këtë strategji dhjetë vjeçare do të ketë rol në tranzicionin energjetik për dekarbonizim dhe energji të pastër.

Pjesë e hartimit të kësaj strategjie, përveç ekspertëve të fushës do të jenë edhe ata nga shoqëria civile.