Arbëri

Kurti s'përgjigjet nëse i kanë votat për verifikim të mandateve: Seanca është nesër a po?

Albin Kurti

Foto: EO

Kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk ka dhënë përgjigje nëse si parti i ka siguruar votat për miratimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandatit të deputetëve dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, në vazhdimin e seancës konstituive që pritet të mbahet nesër.

I pyetur nga gazetarët, Kurti u përgjigj shkurt: “Ajo është nesër a po?”, duke shmangur më tej komentet.

Këtë deklaratë ai i bëri gjatë pjesëmarrjes së tij në shënimin e Ditës së dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, ku mori pjesë në aksionin simbolik për dhurim gjaku të organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti”. 

Me këtë rast, ai gjithashtu bëri nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, duke vendosur lule dhe duke nderuar kujtimin e dëshmorëve të kombit, raportoi Ekonomia Online.

Të enjten ka dështuar për të dytën herë të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën pa e hedhur në votim raportin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, pasi ka thënë se në takimin që e ka zhvilluar me përfaqësuesit e partive politike ka parë që qëndrimet e tyre nuk kanë ndryshuar. 

Ai ka thënë se seanca do të vazhdojë pas dy ditësh, më 19 prill në orën 12:00. Kundër kësaj ndërprerje është shprehur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokadë.

E, ai i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka akuzuar VV-në se po do të blejë kohë në këtë mënyrë meqë nuk e ka shumicën parlamentare. 

Albulena Haxhiu nga LVV-ja ka këmbëngulur se i kanë votat e mjaftueshme, pavarësisht se gjatë seancës së sotme nuk e vendosën në votim pikën e parë të rendit të ditës.