Përditësuar 10:41 - Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Kosova nuk ka problem me serbët lokalë në komunat veriore, por me Beogradin “që s’u distancua nga Milosheviqi i atëhershëm e as nga Putini i sotëm”.
Kurti është shprehur të martën se Kosova iu ka ofruar të drejta serbëve lokalë, duke iu mundësuar integrimin e plotë.
“10 nga 38 komuna janë me shumicë serbe, 17 për qind e anëtarëve të kuvendeve komunale në të gjitha komunat janë serbë. Bashkëpunojmë mirë dhe kanë ministri për komunitete. E duam integrimin e serbëve në Kosovë. Kemi 4 për qind të popullatës serbe këtu, por kemi edhe pakica të tjera që duam t’i respektojmë. Duam të bashkëpunojmë me komunitetetm të krijojmë republikë demokratike në bazë të qytetarëve. Nuk mendoj se duhet të jetë ndarje etnike”, ka thënë kryeministri Kurti.
Sipas tij, qeveria serbe është problemi i raporteve.
“Problemi nuk është me popullin e fqinjit verior, por me Qeverinë e Serbisë. Aspak me serbët e Kosovës që po integrohen”, ka shtuar ai.

Robertson: Ndikimi rus po i dobëson institucionet demokratike
Ish-sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, ka deklaruar se vendet e Bashkimit Evropian duhet të jenë të gatshme “për çdo kërcënim të Rusisë dhe vendeve aleate të saj”.
Ai është shprehur të martën se rreziku nga ndikimi rus ekziston, por kjo sipas tij nuk e përfshin vetëm kërcënimin ushtarak dhe se ndikimi i Rusisë “po i dobëson edhe institucionet e vendeve demokratike”.
“Rusia dhe aleatët e saj si Kina, Irani, mund të përdorin teknika të dobësimit të shoqërive tona. Lufta kibernetike dhe ndërhyrjet në zgjedhje po vazhdojnë dhe po i dobësojnë institucionet tona demokratike. Duhet të zgjohemi për faktin se nëse Putini fiton në Ukrainë, mund të presim të shohim më shumë nga kjo në të ardhmen”, ka thënë Robertson.
Ish-sekretari i NATO-s ka theksuar tutje se Rusia po investon “në luftën e sektorit të hirit”, e sipas tij, ky investim po bëhet edhe në Ballkanin Perëndimor.
Kurti: Kosova udhëheq në Ballkanin Perëndimor për rritje ekonomike dhe sundim të ligjit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova udhëheq në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për kah zhvillimi ekonomik dhe sundimi i ligjit, duke theksuar se në vitet e fundit është forcuar në shumë rrafshe.
Kurti ka deklaruar të martën në Samitin “Shtetet e Ballkanit 2024” se Kosova është pozicionuar në rritje për të ardhmen, e përparim ka shënuar investimet e huaja direkte, në sektorin e kulturës, sportit, shëndetësisë dhe të arsimit.
“Kosova po udhëheq për rritje ekonomike dhe sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor. Pritet të ketë rritje të investimeve...Kosova ka shumë për t’i ofruar Bashkimit Evropian për siguri e partneritet, duke e forcuar demokracinë, zhvillimin ekonomik e mund të krijojë një rajon që është i zhvilluar dhe lulëzon”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri Kurti ka shtuar se sfidë kryesore për vendet e Ballkanit Perëndimor është tejkalimi i paragjykimi historike, por që siç ka thënë ai, këto vende kanë dëshmuar se mund të arrijnë pajtim e dialog.
“Komunitetet në Kosovë po bashkohen të ndërtojnë një të ardhmen të mirë e ky shpirt i bashkëpunimit do të vazhdojë të lulëzojë. Kosova është e pozicionuar për rritje në të ardhmen”, u shpreh ai.