Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se partia e tij dhe koalicioni me “Guxo” e “Alternativa” janë fituese të zgjedhjeve.
Ai para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deklaroi se procesi zgjedhor ishte demokratik e paqësor, duke shtuar se i falënderon autoritetet për angazhimin.
“Procesi zgjedhor ka qenë proces demokratik, i cili nuk ka pasur incidente. E falënderoj edhe policinë edhe mekanizmat, por kështu ndodh kur është Qeveria jonë. Kur ekzekutivi jemi ne, s'ka incidente e procesi demokratik është cilësor, i vërtetë, i lirë i ndershëm”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se asnjëherë s’është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie, derisa ndaj opozitës përdori termin “hajvan”.
VIDEO:
“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit...Kurrë s'është bërë më tepër luftë se ndaj kësaj qeverie. Me oligarkë që japin para pa hesap, e me opozitë që bëjnë marrëveshje edhe me dreqin kundër qeverisë sonë. Edhe prapë se prapë kanë humbur, kanë me mbet opozitë sepse nuk ia duan të mirën as shtetit e as popullit”, ka deklaruar Kurti.
