Arbëri

Kurti shikoi Shqipërinë teksa luante Kosova, Spahiu e quan tradhti kombëtare

Nexhmedin Spahiu

Opinionisti Nexhmedin Spahiu e ka quajtur tradhti të kryeministrit Albin Kurti kur ky pati shkuar në Shqipëri për ta përcjellë një ndeshje futbolli të kombëtares ndërsa të njëjtën ditë luante edhe Kosova me Andorrën. 

Sipas tij, Kurti duhet të punojë për Kosovën, për atë që paguhet. 

“Nëse Qeveria e Kosovës shkon investon vetëm për atë kombëtaren e Shqipërisë, nuk ndërton stadiume këtu, nuk bën ligje për ta forcuar sportin në Kosovë. Pse ka rëndësi kur shkon kryeministri, ka rëndësi sepse kur luante Kosova me Andorrën, në vend se organizu me pa në televizor ndeshjen që fitoi Kosova, kryeministri shkon atje e shikon Shqipërinë. Kjo është tradhti ndaj atdheut. Ai e merr rrogën me përkrahë kombëtaren e Kosovës, jo me përkrahë kombëtaren e Shqipërisë. Shqipërinë ka kush e përkrahë”, ka thënë ai. 


Spahiu: Shteti po lejon që turmat e simpatizantëve me i ble Serbia

Panelisti në emisionin “Konfront” të KTV-së, Nexhmedin Spahiu, ka thënë se shteti i Kosovës po lejon që turmat e simpatizantëve t’i blejë Serbia.

Të martën në debatin mbi “eurospektaklin”, Spahiu ka thënë se nacionalizmi shpërfaqet përmes këtyre turmave, andaj Kosova duhet të investojë në vetëdijësimin e tyre.

“Një pjesë e nacionalizmit, për të mos thënë se pjesa kryesore shpërfaqet përmes këtyre turmave, prandaj është me rëndësi që shteti i Kosovës, nëse nuk e konsideron veten si shtet të përkohshëm, duhet të investojë edhe në vetëdijesimin e këtyre turmave. Shteti i Kosovës po lejon që turmat e simpatizantëve t’i blejë Serbia, t’i paguajë, t’i financojë, t’i fishkëllejnë himnit të Kosovës midis Gjakovës, midis Mitrovicës, kjo po tregon para botës që ne nuk jemi shtet, sepse një shtet normal po të ndodhte kjo në një sallë sportive, e ndërpret ndeshjen menjëherë, i fut në burg”, ka thënë ai. 

Spahiu tutje e ka quajtur “skandal” fishkëllimin ndaj himnit të shtetit të Kosovës brenda palestrave sportive.


Pse tifozët nuk e ndërrojnë klubin, sipas psikologut Kastrati

Psikologu Rron Kastrati ka shpjeguar pse tifozët nuk e ndërrojnë klubin dhe i qëndrojnë besnikë gjithnjë një ekipi. 

Në “Konfront” Kastrati ka treguar se njerëzit shtyten në tifozëri nga organizimi e emocionet që i përfshijnë. 

“Kjo është ndjenja e ruajtjes së strukturës siç e quajmë në psikologji. Kjo automatikisht prodhon virtytin e besnikërisë, prandaj ndodh një sinkron dhe tifozëria identifikohet me lojtarët në fushë. Nëse dikush bën hapin e parë të bëhet tifoz i një ekipi, nis nga preferencat e tij. Çfarë ndikon te njerëzit që i bashkohen një strukture të tifozërisë, është organizimi, emocioni atdhedashës dhe në të njëjtën kohë nëse analizojmë para lojës Shqipëri-Kroaci, ne kuptojmë që të brohorasim për Shqipërinë dhe ta mbështesim këtë kombëtare ne shpërfaqim ndjenjën të bashkimit me ta dhe kjo ndjenjë është krenari”, ka thënë ai. 


Gjinovci: Më entuziast jam për Kroacinë sesa për Shqipërinë, më shumë bën për neve

Analisti Rron Gjinovci ka thënë se është më shumë entuziast për Kroacinë sesa për Shqipërinë, para takimit të nesërm në kuadër të “Euro 2024”.

Sipas Gjinovcit, Kroacia bën më shumë për Kosovën sesa Shqipëria.

“Më entuziast jam për Kroacinë nesër sesa për Shqipërinë, për arsye krejt politike. Më shumë bën Kroacia për neve sesa Shqipëria. E kam gjyshen kroate, e kam edhe një arsye shtesë. Kroacia na shet armë, e lufton aktivisht Serbinë për dallim nga Shqipëria që e mbështet Serbinë. Është vendi i parë [Shqipëria] që na ka vendos sanksione”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

“Nuk i kuptoj kosovarët që shkojnë harxhojnë para e shqyejnë gurmazin për Shqipërinë”, ka shtuar tutje ai.

Kroacia e Shqipëria përballen nesër në Hamburg në ndeshjen e dytë të Grupit B. Kroacia u mposht nga Spanja, ndërsa Shqipëria nga Italia në ndeshjet e para.


Gjinovci: Pse kosovarët shkojnë me përkrahë Shqipërinë? Në Gjermani ka shumëçka të vizitohet

Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Rron Gjinovci, ka thënë se nuk e kupton pse shkojnë kosovarët ta përkrahin kombëtaren e Shqipërisë teksa luan futboll në “Euro 2024”.

Mbi debatin “’Lufta’ brenda dhe jashtë fushës”, Gjinovci ka thënë se janë harxhuar shumë para për4 të shikuar lojë dhe për të bërtitur rrugëve.

Sipas tij, në Gjermani ka shumëçka të vizitohet në vend se të bëhet tifo. 

“Unë nuk e kuptoj pse shkojnë kosovarët ta shohin Shqipërinë dhe t’i bëjnë tifozëri Shqipërisë, domethënë kanë harxhuar pare në vend se të shkojnë në muze të jashtëzakonshëm në Gjermani, ka galeri të jashtëzakonshme që po t’i shohësh janë fascinante, ti shkon i harxhon tërë ato pare për ta shikuar një lojë dhe të bërtasësh rrugëve dhe të duket arritje, mua nuk më duket”, ka thënë ai.