Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për Kosovën dhe fqinjët në Ballkan, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e mbajtur në Forumin e Varshavës për Siguri. Ai ka arsyetuar veprimet që ndërmori në veri pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, të cilat tha se u bënë në funksion të rritjes së sigurisë dhe parandalimit të ndikimit serb e rus.
Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për fqinjët në Ballkanin Perëndimor duke përdorur modelin rus, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin e Varshavës për Siguri.
Në fjalimin për temën “Fokusohuni në Ballkanin Perëndimor: lidhja e gjeopolitikës dhe integrimit evropian”, Kurti përmendi sulmin terrorist të para një viti në Banjskë të Zveçanit, tek tërhoqi analogji mes veprimeve të Rusisë në Ukrainë dhe Serbisë në Kosovë.
“Në rajonin tonë nuk ekziston asnjë kërcënim më i madh se agresioni serb dhe rreziku që ndikimi rus të punojë së bashku me atë agresion. Fatkeqësisht, e njëjta Serbi që nën regjimin e Millosheviqit në vitet e 90-ta kreu gjenocid në Bosnjë dhe Kosovë, vazhdon të kërcënojë pa u penduar. Serbia minon paqen në Ballkanin Perëndimor duke shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të fqinjëve të saj, përfshirë Kosovën. Vitin e kaluar, aksionet e njëpasnjëshme agresive të Serbisë kulmuan me një sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023. Militantë të armatosur të trajnuar në Serbi, me armatim prej miliona euro, hynë në vendin tonë, duke organizuar një sulm nga Manastiri Ortodoks i Banjskës. Qëllimi i tyre ishte të përsërisnin veprimet e Rusisë të vitit 2014 në Donbas, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për rritjen e prezencës policore në veri dhe vendimet lidhur me atë pjesë që, sipas tij, u bënë me qëllim të rritjes së sigurisë dhe shtrirjen e ligjshmërisë.
“Kur flasim për mbrojtje dhe siguri nuk mjafton vetëm të jemi pro saj, por edhe ta bëjmë. Mbrojtja e progresit është e njëjtë sikurse mbrojtja e popullit. Në veri kemi themeluar stacione të reja policore, kemi hapur pompa të derivateve, po ashtu ka filluar regjistrimi i bizneseve dhe kjo paraqet një progres për normalitet në veri. Ne jemi të përkushtuar të ofrojmë siguri dhe prosperitet për të gjithë pavarësisht etnisë që i takojnë. Sot më shumë se kurrë na duhet ndihma e NATO-s, Polonisë dhe aleatëve për promovimin e paqes”, tha ai.
Tek u foli pjesëmarrësve për rezultatet e qeverisjes së tij, Kurti përsëriti se qëllimi final i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe BE.
Në margjinat e Forumit është publikuar edhe një raport për disponimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Pyetjes nëse jeni pro anëtarësimit në BE, nëse do të mbahej referendumi, në rastin e Kosovës 89 për qind janë deklaruar pro.
Më lart se Kosova qëndron vetëm Shqipëria, me 92 për qind të qytetarëve që do të votonin pro anëtarësimit.
Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Serbia është vendi më kundër anëtarësimit në BE, me vetëm 40 për qind të respodentëve që janë deklaruar pro anëtarësimit. 34 për qind e tyre janë deklaruar se do të votonin kundër anëtarësimit në BE, 17 për qind nuk do të votonin fare, ndërkaq 9 për qind kanë thënë se nuk e dinë.