Arbëri

Kurti rendit punët e kryera në veri gjatë qeverisjes trevjeçare

Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka renditur disa nga “të arriturat” e qeverisjes së tij trevjeçare në veri të Kosovës.

Ndër pikat e përmendura është edhe, siç ka thënë ai, zgjidhja e problemit të pagesës së energjisë elektrike, që ka krijuar pabarazi ndërmjet qytetarëve të Kosovës.

“Kemi zgjidhur njërin prej problemeve më të mëdha, atë të pagesës së energjisë elektrike, që përveçse barrë shumë e madhe për paranë publike, krijonte edhe pabarazi ndërmjet qytetarëve të Republikës. Ndërkaq, me largimin e targave ilegale të veturave, dhe zëvendësimin e tyre me targat zyrtare RKS, siguria publike është më e mirë”, ka shkruar Kurti në Facebook. 

Ai më tej ka thënë se janë funksionalizuar Zyrat Kadastrale Komunale në katër komunat në veri në mënyrë që qytetarët atje të mos kenë më telashe me pronat.

“Që bizneset të mund të regjistrohen dhe të përfitojnë nga masat mbështetëse, kemi hapur zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Brenda pak muajsh, janë regjistruar mbi 50 biznese.  Për banorët e komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut, hapëm masë të veçantë të punësimit për 2,000 punëkërkues, me të cilën subvencionojmë deri në 70% të pagës bruto për gjashtë muaj për secilin punëtor të ri, sipas kritereve të caktuara”, ka thënë më tej ai. 

Një tjetër “e arritur” e renditur nga Kurti është ndërtimi i rrugëve që kanë munguar në zona e fshatra në veri, me të cilat lidhen fshatrat mes vete.

“Po ndërtojmë rrugë që kanë munguar në zona e fshatra në veri të Republikës me të cilat lidhëm fshatrat mes vete si dhe me komuna në jug, si ajo që lidh Skenderajn me Liqenin e Ujmanit e Zubin Potokun. Gjithashtu, kemi investuar edhe në stacione të pompimit me qëllim që të adresohet çështja e furnizimit me ujë për fshatra të komunës së Zveçanit dhe Leposaviqit”, ka shkruar ai. 

Kurti tutje ka thënë se është shtrirë infrastruktura dhe shërbimet përcjellëse të regjistrimit civil në Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Leposaviq. 

“Kurse infrastrukturën e vjetër e në raste inekzistente për shërbime të telekomunikimit, po e shtojmë e po e modernizojmë. Këtë muaj, Telekomi shtoi 15 Stacione të reja Bazë të Transmetimit (BTS) që mbështesin teknologjinë 4+ dhe 5G”, është shprehur ai.