Arbëri

Kurti: Regjimi i vjetër po shpërndan para te media të caktuara që të krijojnë dezinformata

Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se media të caktuara po paguhen nga “regjimi i vjetër” për të publikuar lajme të rreme e dezinformata. Deklaratën ai e ka dhënë në kuadër të Presidiumit vjetor të Internacionales Socialiste që u mbajt në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara.

Në fjalimin e tij, të shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje në Facebook, Kurti ka bërë thirrje që të “ndiqen paratë” duke shtuar se lajmet e rreme e dezinformatat “nuk bëhen në baza vullnetare”.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim”, ka thënë ai ndër të tjera.

Kurti ka thënë po ashtu se pabarazitë shoqërore, ndryshimet klimatike dhe rreziqet e sigurisë janë tri çështjet kryesore që e preokupojnë botën sot, “e të cilat nuk mund të zgjidhen nga autokratët që përkundrazi, vetëm sa i përkeqësojnë ato”. 

“Për tri vjet e gjysmë, kam pasur nderin që të shërbej si kryeministër i Republikës së Kosovës. Qeveria jonë ka pasur privilegjin dhe përgjegjësinë për kthimin e idealeve në program, projekte e veprim, të përpilimit të politikave për çrrënjosje të varfërisë, për efiçiencë dhe përballueshmëri të faturave të energjisë, rritje të mirëqenies së përgjithshme shoqërore, trefishim të subvencioneve për fermerë, edukim publik falas për të gjithë dhe një rritje prej 150% të listës së barnave esenciale. Në anën tjetër, nuk ka më grupe apo individë në Kosovë që mund të sfidojnë republikën tonë demokratike. Nuk kemi burime të brendshme destabilizuese apo që kërcënojnë sigurinë e që agjensitë tona të sigurisë nuk mund ta menaxhojnë apo kontrollojnë”, ka deklaruar Kurti.

Këtë gjuhë të Kurtit e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, që ka thënë se e sheh me shqetësim gjuhën e përdorur nga kryeministri. AGK-ja në një reagim ka thënë se Kurti po përpiqet ta minojë kredibilitetin e mediave në Kosovë pa fakte e argumente.