Arbëri

Kurti, Rama e Vuçiqi të hënën në Shkup

Liderët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, do të takohen të hënën në Shkup në kuadër të “Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor”, miratuar nga Komisioni Evropian.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski do të jetë nikoqir i këtij takimi, ndërsa do të marrinë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në takim do të jetë edhe ministri i Financave dhe Thesarit në Këshillin e Ministrave të Bosnje- Hercegovinës, Srgjan Amixhiq, kryeministri i Malit të ZI, Milojko Spaiq, drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Gert Jan Kopman.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të përfaqësohen nga James O'Brien, Ndihmës Sekretari i Shtetit për çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në takim do të marrin pjesë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe ministri i Financave Fatmir Besimi, si dhe kolegë të tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu, do të marrin pjesë përfaqësues të organizatave rajonale, Këshillit Rajonal për Bashkëpunim, CEFTA dhe Forumit të Odave të Investimeve të Ballkanit Perëndimor-6, si dhe të institucioneve financiare ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.