Arbëri

Kurti: Projektligji për Byronë Shtetërore nuk e cenon pavarësinë e pushteteve

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Projektligji për Byronë Shtetërore nuk e cenon pavarësinë e pushteteve. Ai tha se ligji përcakton kthimin e pasurisë te pronari legjitim, Republika e Kosovës.

Kurti në seancën plenare ku po diskutohet për Projektligjin për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Ka vite që jemi pajtuar të gjithë që korrupsioni ka qenë i lartë dhe i koncentruar te zyrtarët e lartë të qeverisë dhe jo vetëm. Në Kosovë për më shumë se dy dekada ka sunduar paligjshmëria. Ata që kanë pasur qasje në buxhetin e shtetin janë pasuruar. Byroja Shtetërore do të jetë në funksion të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar që i mundëson konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme".

Kurti theksoi se përmes këtij projektligji “në vendin tonë nuk do të dominojë më parulla ‘rroga e vogël, fitimi i madh’”.

"Ky projektligj nuk e cenon pavarësinë e pushteteve. Ky ligj përcakton kthimin e pasurisë te pronari juridik e që është Republika e Kosovës", tha ai.

Kurti shtoi se konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do ta bëjë gjykata dhe jo byroja. “Byroja nuk do të jetë agjenci që përndjek kundërshtarët politikë”, ka thënë ai.

"Nëse drejtori i Byrosë Shtetërore nuk performon mirë atëherë Kuvendi e thërret që të jap përgjegjësi ose ta shkarkojë".