Arbëri

Kurti premton nga Istogu një “prokurori patriotike e profesionale”

Tek ka folur para të pranishmëve në tubimin qendror në Istog, kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti, e ka quajtur Prokurorinë të kapur teksa ka shtuar se ajo e reja që do të bëhet pas 9 shkurtit do të jetë “patriotike e profesionale”

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Albin Kurti, ka premtuar të enjten se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit Kosova do të bëhet me një prokurori të re.

Tek ka folur para të pranishmëve në tubimin qendror në Istog, Kurti e ka quajtur Prokurorinë të kapur teksa ka shtuar se ajo e reja do të jetë “patriotike e profesionale”.

“Në mesin e 200 prokurorëve ka shumë prokurorë të mirë, po ata janë në fund të piramidës, e kupola e piramidës atje që është e frikësuar, përpiqet t’i frikësojë edhe të tjerët. Mirëpo pas 9 shkurtit, kur na fitojmë mbi 500 mijë vota, rendi i vjen një prokurorie të re, një prokurorie patriotike e profesionale”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se udhëheqës të prokurorisë nuk po e mbështesin luftën ndaj krimit të organizuar dhe po bëhen pengesë në luftimin e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë.

“Kjo prokurori si mos me qenë e Kosovës, për këso prokurorie Kosova nuk ka nevojë. Kjo prokurori ka nevojë për një prokurori të Kosovës që vjen pra pas fitores sonë të re për mandatin tonë të ri qeverisës në Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Në Istog dhe vendlindjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, Kurti e ka lavdëruar bashkëpunëtoren e tij nga Lista Guxo, Donika Gërvalla.

“Unë besoj që biri juaj, Ibrahim Rugova, po të kishte qenë gjallë sot për mbesën tuaj Donika Gërvallën, që i ka dajtë prej Istogut, do të kishte thanë që LDK ma të vërtetë se Donika Gërvallën në Kosovë e shqiptari s’mundeni me gjetë”, ka theksuar ai.

E para të pranishmëve i ka renditur investimet që i ka bërë Qeveria e tij në Istog.

“Në arsim janë 4.7 milionë euro, në bujqësi 15 milionë euro, në ushtri mbi 2 milionë euro e në shëndetësi 2.3 milionë. Vetëm për lapsin, bukën e pushkën dhe për shnetën në Istog janë mbi 24 milionë euro investime që kanë nisur dhe po vazhdojnë, sepse ne bashkë do të vazhdojmë”, ka thënë ai, tek ka theksuar se në këtë qytetet 112 familje janë ndikuar për izolim shtëpish. Ai ka theksuar po ashtu se krahas Ferizajt bateritë akumuluese që janë donacion prej SHBA-së do të vendosen edhe në Istog.

“Kjo është dëshmi që Qeveria e Kosovës dje, unë si kryeministër, nuk jemi qeveri e kryeministër të partisë por të shtetit”, ka thënë ai.

Kandidati i LVV-së për kryeministër ka akuzuar qeverisjet e mëhershme “kanë pasur polici vetëm për partinë e tij e jo për të korruptuarit, kriminelët e strukturat e Serbisë”.

“U desh që me ardhë në qeverisje Vetëvendosja që ta integrojë veriun, që ta luftojë korrupsionin, që ta luftojë krimin. A e kuptoni se sa e rëndësishme është udhëheqja politike, sa e rëndësishme është Qeveria e Republikës”, ka thënë ai. “Pse këta i toleruan (strukturat paralele serbe), pse këta bashkëjetuan me këto grupe kriminale e me këto struktura ilegale. Bindja ime e fuqishme është, për shkak se këta u korruptuan e pas korrupsionit nuk ki më ideale, edhe nëse flet për ideale nuk të beson më kurrkush, as jashtë e as brenda dhe të korruptuarit nuk mund ta luftojnë Serbinë. Ata që korruptohen, siç thotë populli ynë, e kanë bishtin e nxanun me derë. Kur e ki bishtin e nxanun me derë, atëherë është vendimtare kush e ka dorën te brava”.

E kandidatja e LVV-së për deputete, Donika Gërvalla, ka pasur kritika për partinë e saj të dikurshme, Lidhjen Demokratike (LDK).

“Ne që kemi jetuar atje (Gjermani) fort mirë e dimë se sa e ka luftuar Isa Mustafa presidentin Rugova edhe gjatë viteve ‘90. Atëherë kur ne luftonim Milosheviqin në Kosovë dhe propagandën e tij në botë, Isa Mustafa luftonte Rugovën në Gjermani dhe nga Gjermania. LDK-ja e Isa Mustafës është LDK-ja e PDK-së”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka theksuar se LDK-ja e përdor rugovizmin veç për marketing.

“LDK-ja e Rugovës ka vdekur, por shpirti i tij jeton në partinë GUXO. Kushdo që pyet nga vjen GUXO dhe çfarë na shtyn përpara, mund ta shohë qartë. Rugova është në Guxo, jo në Lidhjen e re, pra në qorrsokak. Për këtë arsye unë i ftoj votuesit tradicionalë të LDK-së, ju që ende besoni në vizionin e presidentit Rugova, …derën e keni të hapur kanat me kanat në partinë GUXO. Besojuni atyre që e përfaqësojnë Rugovën me dinjitet, jo atyre që e përdorin si figurë marketingu apo që e luftuan, si Isa”, ka thënë ajo.