Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti premton dyfishim të shtesave për fëmijë e krijim të valutës digjitale

Kurti

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njëherit mandatari për formimin e Qeverisë së re, ka thënë se vizioni i qeverisë së re do të jetë “punë për qytetarin e mbrojtje për familjen”. 

Ai ka thënë se gjatë pesë vjetëve e gjysmë nën qeverisjen e tij ka pasur një rritje mestarë ekonomike prej 6 për qind të bruto produktit vendor. 

Ai ka thënë se në përputhje me buxhetin do të dyfishohen shtesat për fëmijë. 

“Nga 45 sa janë për çdo fëmijë për familjet me tre e më tepër fëmijë, në 90 euro. Me këtë rritje lëmë prapë edhe disa shtete të Bashkimit Evropian sa i përket shtesave për fëmijët”, tha Kurti në ekspoze. 

Ai ka thënë se është punuar “për nënat, fëmijët, veriun, ushtrinë e bujqësinë” dhe se kjo do të vazhdojë edhe mandatin e ri. 

Edhe Kurti nga Vushtria premton rritje të shtesave, flet për bllokadën politike Zgjedhjet 2026 Kurti nga Vushtria premton rritje të shtesave, flet për bllokadën politike

Tha se do të rritet paga mesatare në sektorin publik në 1000 euro në muaj, e po ashtu tha se do të hiqet taksa doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian. 

E shtoi se ligji për çmimet tavan do t’i mbrojë qytetarët e tregtarët e ndershëm nga abuzimi. 

Kurti po ashtu tha se do të zhvillohet valuta digjitale e Kosovës e mbështetur në teknologjinë “blockchain” për pagesa e shërbime digjitale dhe tha se do të ndërtohet Kulla Teknologjisë Informative në Prishtinë.


Kurti premton pagë mesatare mbi 1000 euro në sektorin publik e 100 milionë për listën esenciale të barnave

Kurti premton pagë mesatare mbi 1000 euro në sektorin publik dhe forcim të sektorit të sigurisë
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka paraqitur në Kuvend programin e qeverisë së ardhshme, duke renditur një sërë premtimesh në ekonomi, familje, arsim, shëndetësi, infrastrukturë, turizëm dhe siguri. 

Një nga premtimet kryesore të tij lidhet me pagat në sektorin publik, për të cilat tha se paga mesatare, sipas pritjeve aktuale, do të kalojë 1 mijë euro në muaj.

“Me rritjen ekonomike do të vazhdojë rritja e pagave në sektorin publik, ku paga mesatare sipas pritjes së tanishme do ta kalojë shumën prej 1000 euro në muaj”, deklaroi Kurti.

Në fushën ekonomike, Kurti tha se terminalet doganore tashmë i janë kthyer shtetit dhe paralajmëroi modernizimin e tyre. Ai bëri të ditur se pas zhbërjes së monopolit të arkave fiskale do të vendoset faturimi elektronik ndërmjet bizneseve, me mbikëqyrje në kohë reale të detyrimeve dhe rimbursim më të shpejtë të TVSH-së.

Një tjetër projekt i paralajmëruar është themelimi i një kompanie ajrore me kapital publik, në partneritet me kompani me përvojë nga Kosova dhe jashtë saj.

Kurti tha se qeveria e tij do të nisë programin “Anë e mbanë”, përmes të cilit synon krijimin e një rrjeti të unifikuar të transportit publik në të gjithë Kosovën. 

Fillimisht, sipas tij, do të përfshihet transporti urban nëpër komuna, ndërsa më pas ai ndërurban.

Ai paralajmëroi edhe krijimin e një bilete të përbashkët dhe të subvencionuar, me synim që çmimi të jetë rreth 10 euro, duke i mundësuar qytetarëve të udhëtojnë nëpër Kosovë vetëm me atë biletë.

Në turizëm, Kurti premtoi nisjen e një projekti të madh në Brezovicë, me investime që, sipas tij, mund të arrijnë deri në 500 milionë euro. Projekti do të përfshinte rrugët, akomodimin, pistat e skijimit, teleferikët, si dhe renovimin dhe ndërtimin e hoteleve.

Ai paralajmëroi gjithashtu zhvillimin e qendrës turistike “Dukagjini” në Pejë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna, duke thënë se do të respektohen kërkesat për mbrojtjen e natyrës. Me grante, sipas tij, do të synohet shndërrimi i stanëve në bujtina ekologjike në Bjeshkët e Nemuna dhe në Sharr.

Kurti tha se programi “Gjenerata për gjeneratë” do të mbështesë gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat nga 13 deri në 36 muaj, në rastet kur të dy prindërit janë në punë. Sipas tij, gjyshërit që përfitojnë nga ky program do të marrin nga 100 euro shtesë në muaj.

Në fushën e kujdesit për fëmijët, ai tha se do të rritet përfshirja në çerdhet publike dhe do të jepen bono për prindërit që zgjedhin çerdhet jopublike.

Edhe Kurti premton pagë të 13-të me ligj, planifikon edhe atë të 14-tën Zgjedhjet 2026 Kurti premton pagë të 13-të me ligj, planifikon edhe atë të 14-tën

Kurti paralajmëroi krijimin e një fondi të sigurimeve shoqërore, i cili do ta mbështesë punëtorin pas humbjes së vendit të punës dhe do të mbulojë pushimin e lehonisë dhe atë prindëror.

Në arsim, ai premtoi licencim të avancuar të mësimdhënësve në të gjitha nivelet, të shoqëruar me rritje pagash. Programi përfshin edhe zgjerimin e mësimit plotësues dhe hapjen e pesë gjimnazeve të specializuara.

Sa i përket shëndetësisë, Kurti tha se pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe plotësimit të sistemit informativ do të funksionalizohen sigurimet shëndetësore. 

Ai premtoi rritjen e buxhetit për listën esenciale të barnave deri në 100 milionë euro, ndërsa paralajmëroi edhe ndërtimin e spitaleve të reja në Mitrovicë dhe Ferizaj.

Në program është përfshirë edhe një plan për ndërtimin e pesë rezervuarëve apo liqeneve artificiale, me qëllim të adresimit të problemit të furnizimit me ujë.

Sipas Kurtit, ato do të ndërtohen në Firajë të Poshtme të Shtërpcës, Pollatë të Podujevës, Kuçicë të Skenderajt, Dragaqinë të Suharekës dhe Desivojcë të Kamenicës.

Për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, ai tha se do të rinovohen Pallati i Rinisë, Qendra e Studentëve, pishinat dhe palestrat, sipas standardeve ndërkombëtare. Paralajmëroi gjithashtu ndërtimin dhe rinovimin e 20 stadiumeve të futbollit, me vlerë prej 250 milionë eurosh.

Kurti tha se përmes një “dritareje për investime të diasporës” do të mbështeten deri në 100 milionë euro investime të mërgatës në Kosovë, ndërsa shteti, sipas tij, do të jetë garantues i kredive për këto investime.

Në drejtësi, ai premtoi se vettingu do të realizohet në përputhje me Kushtetutën, ndërsa Byroja për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, sipas tij, do të synojë goditjen e pasurimit të paligjshëm.

Kurti tha gjithashtu se të gjitha zotimet e paraqitura në ekspozetë e mëparshme mbeten të vlefshme edhe për mandatin e ardhshëm.

Një pjesë e rëndësishme e ekspozesë iu kushtua sigurisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kurti paralajmëroi mbi 1 miliard euro investime për mbrojtjen gjatë katër viteve të ardhshme, ndërsa tha se Kosova do të zhvillojë industrinë e saj ushtarake.

Sipas tij, industria ushtarake “Made in Kosova” do të fokusohet në prodhimin e municionit, dronëve, robotëve dhe teknologjive të tjera mbrojtëse. Ai tha se prodhimi i municionit pritet të nisë brenda vitit 2026, ndërsa zhvillimi i robotëve të parë tashmë ka përfunduar.

Kurti paralajmëroi edhe zgjerimin e njësive të dronëve dhe kundër-dronëve, si dhe themelimin e një Qendre Kombëtare për Menaxhim.

Në kuadër të sigurisë së kufirit dhe përballimit të kërcënimeve të larta, ai tha se do të themelohet edhe Xhandarmëria e Republikës së Kosovës, me fokus në mbrojtjen e kufirit, luftimin e terrorizmit, përballimin e rreziqeve të larta dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike.

Ai bëri të ditur gjithashtu se fondi për pensionim të parakohshëm të shkallëzuar të pjesëtarëve të Policisë do të nisë nga mosha 63-vjeçare dhe do të zbresë deri në 55 vjeç, por theksoi se pensionimi do të jetë i bazuar në dëshirën e vetë pjesëtarëve.

Kurti paralajmëroi rritjen e numrit të grave dhe vajzave në FSK, me synim që brenda mandatit numri i tyre të arrijë në 1 mijë, nga rreth 400 sa tha se janë aktualisht.

Edhe Çfarë premtoi Kurti për mandatin e ri qeverisës Arbëri Çfarë premtoi Kurti për mandatin e ri qeverisës

Ai foli edhe për një program gjithëpërfshirës vullnetar të mbrojtjes dhe për mundësinë që profesionistët me prejardhje nga Kosova, të cilët shërbejnë në ushtritë aleate, si dhe pjesëtarë nga Shqipëria, të mund të kalojnë në FSK.

Në fund, Kurti tha se bashkëpunimi me shtetet e NATO-s dhe Shtetet e Bashkuara do të përshpejtojë përgatitjet e Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike.

Lexo përditësimet tjera
Albin Kurti

Zgjidhet Qeveria Kurti 4

(Lajm i përditësuar)- Me 62 vota për dhe tetë kundër është votuar Qeveria Kurti 4 në...