Arbëri

Policit të plagosur i është hequr me sukses predha nga kraharori

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se operacioni në të cilin ka hyrë polici i lënduar të dielën në Banjskë të veriut, është kryer me sukses.

Teksa ka njoftuar për vizitën e tij te zyrtari policor i plagosur, Kurti ka thënë se atij i është hequr predha nga kraharori i majtë.

Ai më tej njoftoi se polici i plagosur do të lirohet po të dielën nga spitali.

“Predha ishte e një granate dore që e hodhën kriminelët e orkestruar nga Serbia në drejtim të policisë së Kosovës gjatë sulmit të tyre terrorist afër urës në Banjskë të Zveçanit. Gjatë vizitës në Klinikën Kirurgjike të QKUK-së takova edhe familjen e Albanit e cila erdhi nga Velekinca e Gjilanit. Polici i plagosur Alban Rashiti do të lirohet sot nga spitali”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“Në orët e para të mëngjesit kemi arrit ta kryejmë një intervenim ndaj tij dhe e kemi larguar një predhë (dyshohet të jetë plumb) nga ana e majtë e gjoksit. Fatmirësisht, nuk i ka prekur organet vitale të policit. Gjendja e tij shëndetësore është mirë dhe po vazhdon trajtimin në Klinikën tonë”, ka njoftuar drejtori i Kirurgjisë torakale, Nazmi Kolgeci.