Kryeministri Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e fotoreporterit Alban Bujari, duke thënë se me punën e tij, ai la pas trashëgimi historike e kombëtare.
Në një status në Facebook, Kurti ka thënë se Bujari do të mbahet mend për rolin si fotoreporter veçanërisht në dokumentimin e masakrave të luftës në Kosovë.
“Mëngjesi i sotëm na gjeti me lajmin e trishtë për vdekjen e papritur të Alban Bujarit, fotoreporterit i cili me syrin e tij regjistroi luftën, paqen dhe shtetndërtimin e Kosovës. Në gati 30 vitet që me fotografi dokumentoi historinë e Kosovës, Albani, me modestinë njerëzore dhe punën profesionale, e vendosi veten në majen e gazetarisë së Kosovës, dhe jo vetëm. Albanin do ta mbajmë mend përherë e do ta kujtojmë për rolin e tij si fotoreporter veçanërisht në dokumentimin e masakrave të luftës së fundit në Kosovë, ku pamjet shërbejnë si dëshmi që ndërgjegjësuan më tej edhe opinionin e mediat ndërkombëtare. Me kurajën e njëjtë e kureshtjen e pashtershme përcolli zhvillimet shoqërore e politike edhe pas luftës. Syri i tij na ka përcjellë për afër tri dekada, e unë fytyrën e tij e kam parë në pothuajse çdo aksion politik si opozitar e aktivitet publik tash si kryeministër. Jemi takuar shpesh, por jo aq sa duhej për kohën e gjatë që njiheshim. Do të na mungojë gjithmonë; mungesa e tij do të vërehet përherë. Por, ai do të jetojë përmes veprave të tij, e nga to do ta mbajë të gjallë edhe kujtimin për viktimat e luftës së fundit, masakrat e shtypjen sistematike të viteve të '90-ta. Fotografitë e Albanit janë e do të jenë gjithmonë kujtesa jonë për dhimbjet e popullit tonë dhe përkujtimi i çmimit për lirinë që e gëzojmë sot. Me punën e tij, ai la trashëgimi vetëdije historike e kombëtare. Ngushëllime familjes, kolegëve në Grupin Koha dhe gjithë komunitetit të gazetarëve e fotoreporterëve të Kosovës, si dhe të gjithëve që e njohën Albanin, qoftë personalisht qoftë përmes fotografive të tij. Albani fotografoi që kurrë mos të harrojmë, e prej sot fotografitë e tij do të kujdesen që ne kurrë mos ta harrojmë Albanin”, ka shkruar Kurti.
Fotoreporteri Alban Bujari vdiq të enjten. Bujari ishte një ndër fotoreporterët më të shquar të Kosovës dhe ndër të parët që ka dokumentuar periudhën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1997-99.