Arbëri

Kurti për raportin e fizibilitetit për Ujmanin: Aty është korrigjuar gabimi i bërë nga ish-kryeministri

Albin Kurti - Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, në lidhje me studimin e fizibilitetit të Ujmaniyt nga Departamenti Amerikan i Energjisë.

Selmanaj në Kuvend ka thënë se me Marrëveshjen e Washingtonit ishte paraparë të bëhej studimi i fizibilitetit për përdorim të përbashkët të liqenit të Ujmanit.

Selmanaj ka thënë edhe 21 muaj pas daljes së raportit Qeveria ende nuk ka dalë me një vlerësim.

E Kurti ka thënë se raporti flet për përdorimin e Ujmanit për përfitime të Kosovës.

“Raporti në tërësi flet për Ujmanin në kontekst të Kosovës dhe shfrytëzimin e tij në kontekst të Kosovës, jo për përdorim të përbashkët. Pjesa më e madhe e raportit, tri nga katër pikat përmbajnë pika për veprime teknike, inxhinierike në kuadër të sistemit të Ibër Lepencit. Raporti e ka korrigjuar atë që e ka bërë gabim ish-kryeministri, ku ka pretenduar dhe deklarohej publikisht se Ujmani mund të shfrytëzohet bashkë me Serbinë. Raporti askund nuk e përmend një pasaktësi të tillë. Siç e thotë edhe parashtruesi i pyetjes retorike, mbrojtësi më i madh i sovranitetit tonë, e ka kuptuar më mirë se sa e pasaktë dhe pamundur ka qenë ai pretendim për shfrytëzim të përbashkët. Serbia është thirrur në atë marrëveshje, por jo në atë raport. Me pas qenë i mirë ai raport i mirë për Serbinë padyshim se do e kishte përdorur Serbia. Ne nuk e kemi përdorur se në vazhdimësi kemi qenë në të drejtën tonë dhe kemi theksuar dhe insistuar se nuk kemi çka flasim për pronën tonë”, tha ai.

E Selmanaj e ka akuzuar kryeministrin Kurti se “nuk po di për çfarë po flet”.

“Ju keni thënë që me këtë pikë shkelet e cenohet sovraniteti i Kosovës. Tash po thuani se nuk i ka shkuar përshtati Serbisë. Ju s’po dini çka po flisni kryeministër”, tha Selmanaj.

E Kurti tha se ishte i qartë se raporti me “vlerësimet e cilësimet që i jep nuk është në përputhje me përdorimin e përbashkët që e ka nënshkruar ish-kryeministri”.

“Ka qenë gabim ai formulimi. Ish-kryeministri deklarohej se Serbia mund të na e ndalë ujin, por në fakt këtë e bënte se nuk e kuptonte të drejtën elementare të ujërave, sepse një shtet nuk mund t’ia ndalë ujërat një shteti tjetër”, tha Kurti.

E Selmanaj i ka bërë thirrje Kurtit që “raportin me SHBA-në ta marrë seriozisht”.