Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me ndërtimin e Klinikës së Nefrologjisë dhe asaj të Hemato-Onkologjisë do t’u mundësohet qytetarëve të mos mendojnë më për të udhëtuar jashtë shtetit për shërim.
Kurti të enjten vizitoi punimet që po bëhen në këto dy klinika në hapësirën e Qendrës Klinike Universitare (QKUK). U shoqërua nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Gjatë adresimit për media, Kurti ka thënë se fillimisht u mendua se ky projekt do të zgjaste 36 muaj, por se nga kompania kanë thënë se ndërtimi i klinikave mund të kryhet për 24 muaj.
Ai ka thënë se ky projekt është në vlerë 4.3 milionë euro dhe do të ofrojë shërbimet më të larta shëndetësore për trajtimin e pacientëve me këto dy sëmundje “që tash do të fillojnë të trajtohen edhe në Republikën tonë”.
“Qytetarët kosovarë nuk do të kenë më nevojë që të mendojnë me cilën aviokompani do të udhëtojnë jashtë shtetit për t’u shëruar siç ka ndodhur në këto dy dekada, por do të marrin shërbime cilësore shëndetësore në Kosovë. Pacientët do të kenë qasje në shërbime të reja që nuk janë të disponueshme në vendin tonë. Ky është kapërcimi më i rëndësishëm që po bëhet në investimet në shëndetësi”, ka thënë Kurti.
Klinika e Nefrologjisë shërben për pacientët me sëmundje të veshkave, ndërsa ajo e Hemato-Onkologjisë për ata me kancerë.