Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se besojnë që ndryshimi i masës së sigurisë për mallrat serbe, do të jetë i mjaftueshëm që vendi të ketë sukses në CEFTA dhe në Proces të Berlinit.
“Ne besojmë se ndryshimi i masës që e bëjmë është i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në Proces të Berlinit të kemi sukses të plotë...Jemi përcaktuar për Merdarën për shkak se aty është hapësira më e gjerë dhe terminali doganor është vetëm 300 metra larg nga vendkalimi kufitar. Nëse do të kishim një vendkalim tjetër kufitar atëherë terminali doganor do të ishte shumë më e largët. Mandej është e vështirë të kontrollosh se çka ndodh për një maune kur e kalon kufirin dhe vjen në terminalin doganor”, ka deklaruar ai kur është pyetur se a është koordinuar vendimi për ndryshim të masës së sigurisë për mallërat serbe me Gjermaninë.
Ai ka thënë se masat për ndalimin e mallrave serbe kanë qenë masa të sigurisë dhe jo tregtare.
Në adresimin për media që pati të hënën bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, Kurti ka thënë se ndryshimi i masës ka filluar me një pikë kufitare, për të vazhduar më pas edhe me pikat tjera.
“Sot paradite ministri i Punëve të Brendshme i ka shkruar drejtorit të doganave që në njërën nga pikat kufitare, Kosova e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi deri te kontrolli i shtuar derisa të na vijnë skanerët. Kur të vijnë skanerët, vendoset për të gjitha pikat kufitare. Në 7 ditët në vijim i kemi dy zhvillime të ndryshme pasnesër është mbledhja e CEFTA, ndërsa sot një javë është në Procesin e Berlinit. Masat tona nuk kanë qenë dhe nuk janë asnjëherë tregtare, janë masa të sigurisë. Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare. Në njërën prej pikave tregtare po e bëjmë këtë ndryshim të masës”, ka thënë Kurti.
Ai ka shtuar se janë përcaktuar në pikëkalimin kufitar në Merdar për shkak se “aty është hapësira më e gjerë dhe terminali doganor është vetëm 300 metra më larg, sa më e shkurtër kjo distancë aq më kollaj për doganierët”, ka thënë ai.
Ndërsa, për përfaqësimin e vendit në CEFTA, Kurti ka thënë se pritjet e tij janë që të përfaqësohen si Kosovë.