Arbëri

Kurti për bordet e shkarkuara: Kemi parë gjakderdhje financiare në këto ndërmarrje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qeverisja e tij po e ndalon gjakderdhjen financiare në Kosovë dhe se këtë proces e ka nisur në pranverën e vitit 2020.

Kurti ka thënë në një intervistë në televizionin publik të Kosovës se po shkarkohen borde që kanë njerëz jo-kompetent apo të korruptuar.

“Gjakderdhjen financiare filluam ta ndalim në pranverën e vitit 2020 dhe e vazhdojmë edhe sot dhe padyshim se disa borde me njerëz jo kompetent ose edhe të korruptuar duhet të shkarkohen dhe të emërohen të tjera të përkohshme por në të njëjtën kohë duhet t’i hapim rrugë aplikimeve për borde me konkurse , këtu duhet theksuar Trepça, KEK-u, Posta e Kosovës, Ujësjellësit Prishtina, Ndërmarrja Hidroekonomike, Ibër Lepenci dhe Infrakosi. Këto janë veprime emergjente në Klinikën e tillë në Klinikën Emergjente. Nëse të thyhet këmba duhet të shkosh në Klinikën Ortopedike por me kusht që nuk je duke gjakderdhur, nëse të është thyer këmba por je duke gjakderdhur së pari shkon në Klinikën Emergjente. Kam parë gjakderdhje financiare në këto ndërmarrje dhe është dashur të intervenojmë nga zori jo për qejf”, ka thënë Kurti.