Arbëri

Kurti për bisedën Porfirije-Putin: E vendos rajonin në rrezik serioz

Albin Kurti

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka vlerësuar si rrezik serioz për rajonin qëndrimin e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në një diskutim me presidentin rus, Vladimir Putin.

Gjatë javës, Porfirije bëri të ditur se në një takim me Putinin në Moskë ka falënderuar Rusinë për mbështetjen dhe qëndrimin lidhur me Kosovën, Republikën Serbe dhe Malin e Zi. Ndër të tjera, patriarku ka thënë se pa mbështetjen e Rusisë dhe Kinës “nuk e di se çka do të ndodhte me Kosovën”.

E Kurti në një shkrim në X ka ndarë pjesë nga diskutimet e Porfirijes me Putinin dhe ka thënë se diskutimet e tij nuk janë diplomaci fetare, por partneritet që rrezikon rajonin. Tek e ka quajtur shqetësues takimin, Kurti ka theksuar se kjo ndodh në prag të vizitës së paralajmëruar të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moskë.

“Patriarku bëri thirrje për një riorganizim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse duke theksuar se ‘anija e vogël (serbe) që lundron në det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur me një anije të madhe ruse. Ai po ashtu sugjeroi se qëndrimi i Serbisë ndaj fqinjëve të saj – Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi – varet nga pozicioni botëror i Rusisë. Kjo nuk është diplomaci religjioze, por partneritet strategjik i regjimeve autoritare, që e vendos rajonin në një rrezik serioz”, ka shkruar Kurti.

Në fund Kurti ka thënë se Kosova qëndron në parimet dhe aspiratat demokratike dhe i refuzon agjendat e drejtuara nga fuqitë autoritare.