Arbëri

Kurti: Parku solar prej 100 megavatesh siguron energjinë për 20 mijë familje

Ministria e Ekonomisë, të enjten, organizoi konferencën e para-ofertimit për ankandin e parë solar prej 100 megavatesh, që pritet të ndërtohet në Kramovik të Rahovecit. Sipas kryeministrit Albin Kurti, ky projekt do të sigurojë energji për 20 mijë familje. Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij po e ndihmon Kosovën në përshpejtim të së ardhmes së pastër energjetike

Rreth 20 mijë familje do të përfitojnë energji nga projekti prej 100 megavatesh nga energjia solare që pritet të ndërtohet në Kramovik të Rahovecit.

Në konferencën e para-ofertimit për ankandin solar, të organizuar nga USAID dhe Ministria e Ekonomisë, të enjten, kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky projekt do ta shtrojë rrugën për projekte të tjera për energji të ripërtëritshme.

“Opsioni që po e mbajmë është vendi Kramovik. Ka një potencial që të ofrojë energji elektrike për 20 mijë shtëpi apo amvisëri, që është një progres i prekshëm në tranzicionin e energjisë dhe mbështetjes së zgjedhjeve të ripërtëritshme energjetike dhe është vetëm një fillim për Kosovën, sikurse e dini, vendi jonë ofron një strukturë të mrekullueshme dhe përparësi strategjike, të cilat janë potencialisht të nevojshme për investitorë potencialë”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se qëllimi është që të inkurajohen investimet private dhe të krijohet një mjedis i favorshëm për investime që, sipas tij, janë shtytësit kryesorë për zhvillim ekonomik.

“Në strategji kemi përcaktuar targete për të ofruar mbi 1,300 megavate kapacitete të energjisë dhe kjo reflekton përkushtimin tonë për një agjendë kuptimplotë për mirëqenien e qytetarëve dhe mjedisin për një të ardhme të mirëfilltë energjetike”, ka theksuar ai.

Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se burimet e ripërtëritshme janë kyç për pavarësi energjetike dhe që sigurojnë zhvillim energjetik.

Sipas saj, është me rëndësi që të mbështetet një proces i konkurrencës së mirëfilltë për të ofruar çmime më të mira.

“Burimet e ripërtëritshme janë kyç për pavarësi energjetike duke siguruar zhvillimin ekonomik, të cilin ka nevojë ta ketë vendi ynë duke i mbajtur të përshtatshme për qytetarët dhe bizneset tona. Është e rëndësishme që ta mbështesim një proces të konkurrencës së mirëfilltë për të ofruar do të thotë një çmim më të mirë për qytetarët”, ka theksuar Rizvanolli.

Ajo ka deklaruar se si Ministri janë përballur me sfida të ndryshme, sidomos sa u përket krizave dhe në përpjekjet për të vendosur bazë moderne për sektorin energjetik.

“USAID-i ka qenë partneri kryesor dhe madhor në të gjitha rrugëtimet tona në zhvillimin e strategjisë, legjislacionit dhe gjithçka që mund të mendoj që e kemi bërë. Është e natyrshme që në këtë hap të parë në implementimin e strategjisë sonë, opsionin e parë po e bëjmë bashkërisht”, ka thënë ajo.

Edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se ky ankand paraqet një akt të rëndësishëm për Kosovën drejt integrimit të plotë evropian.

“Ky ankand paraqet edhe një akt të rëndësishëm përpara drejt integrimit të plotë evropian të Kosovës, duke ndihmuar Kosovën për të ecur një hap përpara, për t’i përmbushur kërkesat dhe standardet e BE-së për energji të ripërtëritshme. Me këtë ankand Kosova përafrohet me ndërtimin e infrastrukturës së operacioneve të qëndrueshme me një fuqi punëtore të përqendruar në çështjet e klimës dhe të qëndrueshmërisë”, ka thënë Hovenier.

Ai ka përgëzuar udhëheqësit për hapat që janë ndërmarrë drejt përmbushjes së objektivave për dekarbonizim.

“I përgëzojmë prijësit e Kosovës për zotimin e fortë për proces transparent, efikas dhe efiçientë dhe për bashkëpunimin me sektorin privat sepse së bashku Qeveria dhe sektori privat tashmë kanë filluar kalimin energjetik me objektiva ambicioze dhe të arritshme për burime të energjisë së ripërtëritshme dhe dekarbonizim, duke përfshirë edhe një objektiv prej 30 për qind me gjenerim të ripërtëritshëm deri në vitin 2031. Për fat të mirë Kosova tashmë ka potencial të rëndësishëm të pashfrytëzuar të energjisë së paripërtëritshme mes nivele të larta të rrezatimit diellor dhe kapaciteteve të dukshme të erës”, ka deklaruar ai.

Më 12 maj, Qeveria ka hapur ankandin e parë për energji solare. Përmes tij, ajo do t’iu ofrojë investitorëve marrëveshje të garantuar 15-vjeçare për blerje të energjisë dhe tokë me qira për afat prej 30 vjetësh.

Nëpërmjet këtij ankandi pritet që të bëhet instalimi i paneleve me kapacitet të prodhimit të 100 megavateve të energjisë solare, në vlerë prej 75 milionë eurosh.

Kjo është hera e parë që Kosova shpall ankand solar, ani se ishte premtuar të jetësohej qysh në fund të vitit të shkuar.

Ankandi është një proces konkurrues, nëpërmjet të cilit Qeveria do të blejë energji elektrike që gjenerohet nga burimet e ripërtëritshme. E kontrata e ankandit jepet në bazë të çmimit më të ulët të garantuar të blerjes.