Arbëri

Kurti nuk zotohet për rritje të ndjeshme të pagave

Kreu i Qeverisë ka shprehur krenarinë për rritjen ekonomike prej 9.9 për qind gjatë vitit të shkuar, por ka thënë se në këtë shkallë nuk do të rriten pagat. Opozita i ka cilësuar si manipulim shifrat e përdorura nga kryeministri, të cilit i kanë bërë thirrje për reflektim ndaj rritjes së çmimeve për produktet ushqimore

Kryeministri Albin Kurti është përcaktuar që të mos i rrisë pagat në shkallën sa ka qenë rritja vjetore ekonomike, ani se kjo ishte një praktikë e vendosur në Qeverinë e drejtuar nga Isa Mustafa.

Qëndrimin, që nxiti reagimin e ligjvënësve opozitarë, e ka shprehur të martën gjatë seancës plenare në Kuvend, ku ka përmendur rritjen ekonomike 9.9 për qind që vendi e ka përjetuar në vitin 2021. Ai ka thënë se është pro rritjes së pagave. Por ka insistuar se rritja nuk mund të jetë e njëjtë me rritjen ekonomike.

“Ne i kemi fituar zgjedhjet me sloganin drejtësi e punësim e jo ngritje pagash e drejtësi”, ka deklaruar kryeministri.

Kurti ka thënë se progresi ekonomik gjatë vitit të fundit është edhe si rezultat i ngritjes së besueshmërisë qytetare ndaj ekzekutivit që ai e drejton. Madje, ka përmendur edhe “definicionin e shpresës”, sipas të cilit njerëzit shpenzojnë kur besojnë që do të kenë më shumë para.

“Njerëzit shpenzojnë, vetëm sepse kanë të shpenzojnë. Pra, nuk është e mundshme të shpenzosh nëse nuk ke të shpenzosh. Është kundërthënie logjike. Por ka edhe një arsye tjetër pse njerëzit shpenzojnë - njerëzit nuk shpenzojnë vetëm se thjesht kanë, por njerëzit shpenzojnë kur besojnë që do të vazhdojnë të kenë. Përndryshe nuk shpenzojnë. Dhe ky do të mund të ishte edhe njëfarë lloj le të themi definicioni i shpresës në kuptimin e saj në ekonominë e tregut”, ka deklaruar Kurti.

Deklaratat e kreut të Qeverisë për rritjen ekonomike në opozitë i kanë cilësuar si manipulim.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë në Kuvend se Kosova çdo vit e ka trendin e rritjes, dhe sipas tij Qeveria Kurti është duke e vazhduar këtë trend. Ai ia ka rikujtuar kryeministrit edhe shkallën e inflacionit.

“Ka pasur edhe rritje të çmimeve. Kjo është rritja më e madhe në 22 vjetët e fundit, madje në produkte bazike. Çështja është çka bëni ju si qeveri”, i është drejtuar Abdixhiku kreut të ekzekutivit.

Kritika ka drejtuar ndaj Kurtit edhe shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri. Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta rrisë pagën minimale.

“A jeni tu ni çka jeni tu folë. Po folni për statistika. A jeni në dijeni se paga minimale është 170 euro. Çdo gjë është shtrejtu. Merr vendime o kryeministër, 60 deputetë i ki", është shprehur Tahiri.

Në Kuvendin e Kosovës nuk është diskutuar vetëm gjendja sociale në vend, por edhe situata në Ukrainë, pasi trupat ushtarake ruse kanë hyrë në zonat separatiste të Ukrainës Lindore. Madje, është dhënë alarmi se zhvillimet në këtë pjesë mund të kenë ndikime në ekonomi.

Haki Abazi, kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, ka folur mbi të tilla ndikime.

“E pritur është se efektet e para janë vërejtur edhe te ne, çmimet janë rritur, meqë jemi kaq të varur nga importi”, ka thënë Abazi.

Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, ka thënë se Kosova duhet të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse nëse kështu veprojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

“Mendoj që Kuvendi i Kosovës duhet me i përcjellë ngjarjet në Ukrainë. Nëse ka nevojë, mendoj që në një të ardhme të afërt të miratojë një rezolutë dhe i ftoj të gjitha partitë politike që ta bëjnë një gjë të tillë. Ky është hapi i parë”, ka thënë ish-ministri i Jashtëm i Kosovës.

Diskutime ka pasur edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së, e ka pyetur ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, mbi organizatat që Kosova planifikon të aplikojnë apo që ka aplikuar.

Por përgjigjja e kryediplomates ishte se ky është një sekret shtetëror.

“Nuk mund të japim informacione për strategjitë tona në politikën e jashtme, pasi mund të marrin rrugën e gabuar”, ka thënë Gërvalla.

Në këtë seancë, deputetët me 82 vota e kanë votuar edhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, për të cilën kishte konsensus mes grupeve parlamentare.

Deputetët kanë ratifikuar edhe dy marrëveshje mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që lidhen me çështje juridike dhe Marrëveshjen me Malin e Zi për kontekstin e aderimit në Bashkimin Evropian.

Agjenda që ishte paraparë për këtë seancën plenare nuk është realizuar dhe shumë nga pikat e rendit të ditës janë shtyrë për të mërkurën, kur do të vazhdojë kjo seancë.