Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka shkuar në Bosnjë-Hercegovinë e të premten ka nisur disa takime.
Kurti ka nisur takimet në orën 11:00, raportoi media “Klix” në Bosnjë, ndërsa më vonë sipas medias do ta zhvillojë një takim me Këshillin e Ministrave.
Ai është takuar me dy anëtarë të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës. Gjatë vizitës në Sarajevë, zhvilloi takime të ndara në Presidencën e Bosnjës me anëtarin kroat, Zhelko Komshiq dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviq. Por, nuk takoi anëtaren serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelja Cijanoviq.
Komshiq ka thënë entiteti i Republikës Sërpska (RS) nuk ka kompetenca për lëshimin e vizave për hyrjen në Bosnjë dhe Hercegovinë, teksa ka përmendur kritikat e RS-së lidhur me vizitën e Kurtit dhe takimet që ai ka.
“Po ashtu, anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës sigurisht nuk do të pyesin as Dodikun, as këdo tjetër, se me kë do të takohemi dhe për çfarë do të diskutojmë”.
Ndërkaq, Beqiroviqi ka theksuar se disa politikanë nga entiteti i Republikës Sërpska duhet të ndalojnë “propagandën e stilit të Joseph Goebbelsit” – që ishte ministër i Propagandës në Gjermaninë Naziste – sa i përket ndërveprimit me Kosovën.
“Sot nuk diskutohet për njohjen e Kosovës, sepse të gjithëve u është bërë e qartë se për një vendim të tillë nevojitet konsensus në Presidencën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Njerëzit e përgjegjshëm gjithmonë duhet të këmbëngulin në respektimin e parimeve të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, por edhe në biseda konstruktive për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Procesin e Berlinit. Askush nuk do të lejohet të mendojë se mund të disiplinojë udhëheqësit e shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe të përcaktojë me kë, ku dhe kur mund të bisedojnë. Kjo është diçka që duhet ta harrojnë përgjithmonë,”, tha Beqiroviq.
Kryeministri është shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Shkuarjen e Kurtit në Sarajevë, presidenti i entitetit të Republikës Serbe, Millorad Dodik, e ka quajtur provokim. Në shenjë proteste ministrat serbë bojkotuan të enjten seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës.
Në samitin e mbajtur në tetor të këtij viti në Berlin, kryeministri Kurti deklaroi se nga 1 janari i vitit 2025, Kosova do t'i lejojë njëanshëm qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës të hyjnë vetëm me letërnjoftim.



Kurti ka bërë homazhe pranë Memorialit të Fëmijëve të Vrarë gjatë Rrethimit të Sarajevës.

