Kryeministri, Albin Kurti, po qëndron në Mal të Zi, për të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Ai të mërkurën ka marrë pjesë darkën me liderë, të shtruar nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç.
“Krahas liderëve të rajonit, në darkë ishin të pranishëm edhe ndihmëssekretari për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike i Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien, komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kurti në këtë takim thuhet se ka theksuar se në samit do të diskutojë për përparimin e Kosovës në Agjendën e Reformës së Planit të Rritjes dhe për çështje rajonale, duke përfshirë gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ky është takimi i tretë këtë vit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Kësaj radhe nikoqire e takimit është Qeveria e Malit të Zi, kurse samiti po zhvillohet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”.