Gjatë qëndrimit të tij në Bruksel të hënën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shoqëruar nga profesori, Marc Weller, kanë thënë burimet për KOHËN.
Weller, i cili ishte këshilltar për Kosovën në Konferencën e Rambujesë në vitin 1999, nuk dihet se në çfarë roli ka marrë pjesë në këtë vizitë të nivelit të lartë në Bruksel.
Ai ka mbajtur edhe pozitën e këshilltarit të lartë ligjor në procesin e Vjenës të negociatave për statusin përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga OKB-ja gjatë viteve 2006-2007.
Bazuar në biografinë e publikuar nga “Universiteti i Cambridget”, Weller gjithashtu ka kontribuar edhe në hartimin e Kushtetutës së Kosovës, si dhe ka hartuar Ligjin për Mbrojtjen e Minoriteteve në Kosovë dhe Statutin e Këshillit Konsultativ të Komuniteteve.
Ai është edhe autor i librit “Shtetësia e kontestuar: administrimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës për pavarësi”.
Kryeministri Kurti është duke e zhvilluar takimin trepalësh midis tij, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ky takim po zhvillohet pas takimeve të veçanta të zyrtarëve të BE-së me Kurtin dhe Vuçiqin.
Pas takimit trepalësh, pritet që Borrelli të deklarohet për media për lidhur me rezultatet.
Fokusi takimeve është mbi propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.