Arbëri

Kurti për ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhje: Rashiq u kërcënua vazhdimisht nga Radoiçiqi me mesazhe

Kryeministri Albin Kurti

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është ndërhyrje në sovranitet dhe demokraci të vendit. 

Në konferencën për medie bashkë me ministrin në largim për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, Kurti ka thënë se vetë Rashiqi “është kërcënuar vazhdimisht nga Milan Radoiçiqi dhe dhe njerëzit e tij me anë të mesazheve”. 

“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është ndërhyrje në sovranitetin dhe demokracisë sonë”, ka thënë Kurti. 

Kurti ka shtuar se Serbia është angazhuar sidomos për ta dëmtuar subjektin politik të udhëhequr nga Nenad Rashiq, si dhe nga Aleksandar Arsenijeviq. 

Ai ka thënë se joshja financiare është bërë me anë të ndarjes së 20 mijë dinarëve për të gjithë të papunët. 

Sipas Kurtit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, e ka autorizuar kryeterroristin Milan Radoiçiq, për ta zbatuar planin për ndërhyrje në Kosovë. 

"Ministri për Komunitete dhe Kthim z. Nenad Rashiq, në vazhdimësi është kërcënuar nga Millan Radoiçiqi dhe personat e afrët të tij duke tentuar që ta shantazhojnë në forma të ndryshme të fabrikimeve, për t’ia dëmtuar reputacionin te votuesit serbë dhe për ta detyruar që të tërhiqet nga gara. Ai dhe ministria që e drejton kanë qenë gjithashtu cak edhe i sulmeve kibernetike me ç’rast profili i Nenad Rashiq dhe ministrisë në rrjetet sociale janë hakuar", ka thënë ai.

Kurti tutje ka shtuar se Beogradi ka përpiluar listë me emrat e shtatë kandidatëve, të cilët duhet të votohen.

"Është diktuar edhe lista e shtatë kandidatëve të Listës Serbe të domosdoshëm për votim. Pra Beogradi ka përpiluar listë ku shtatë kandidatë, patjetër duhet të votohen, ndërkaq tre të tjerë janë lënë të lirë për qytetarët. Lista përmbante këta emra:  Zlatan Elek, Slavko Simiq, Igor Simiq, Branislav Nikoliq, Verica Qeraniq, Sërgjan Popoviq dhe Liljana Stevanoviq", ka thënë ai.