Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nëpërmjet sindikatave të fuqishme mund të zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligarkë për t’i shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët, e sipas tij, në sektorin privat në Kosovë nuk paraqitet shtypja.
Ai ka shkruar në ditën e punëtorëve se Qeveria është aleate e punëtorëve, duke shtuar se duhet “më shumë bashkim, më shumë organizim e më shumë fuqi”. Sipas kryeministrit Kurti, nëpërmjet bashkimit në shoqëri dhe në vend të punës sigurohen të drejtat e punëtorëve.
“E shohim edhe në vendin tonë, nga njëra anë i jepet hapësirë dhe provohet të projektohet një interesim për çështje që lidhen me gjeopolitikë dhe fqiun autokratik, kurse në anën tjetër lufta e punëtorëve në sektorin privat kundër punëdhënësve oligark nuk paraqitet, shtypet e ndrydhet dhe mbahet qëllimisht e heshtur. Punëtorët në sektorin privat duhet të jenë në solidaritet me njëri-tjetrin dhe të organizohen nëpër sindikatat e tyre. Ne duhet të jemi aleatët e tyre të besueshëm e të gatshëm. Vetëm të bashkuar, me sindikata të fuqishme dhe me mbështetje të gjerë shoqërore dhe institucionale zmbrapsen tendencat e punëdhënësve oligark për të shfrytëzuar dhe heshtur punëtorët. Më shumë bashkim, më shumë organizim, më shumë fuqi”, ka shkruar Kurti në Facebook të mërkurën.
Kryeministri ka deklaruar se në vitin e fundit Qeveria ka dëshmuar kujdes të shtuar për gjendjen e punëtorëve në Kosovë.
“Inspektorati Qendror i Punës për të mbikëqyrur të drejtat e punëtorëve në vitin 2023, në krahasim me vitin 2020, ka trefishuar numrin e inspektimeve, duke realizuar 8,114 inspektime. Kemi dyfishuar buxhetin për Inspektoriatin i cili përgjatë viteve 2022 dhe 2023 përmes procedurave të rekrutimit ka dyfishuar numrin e inspektorëve të punës. Sivjet numri i inspektorëve arrin në 150 duke përmbushur kësisoj premtimin tonë për pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës”, ka thënë ai.