Të premten, 26 korrik, shënohet dita memoriale e policëve të rënë në kryerje të detyrës dhe 13-vjetori i rënies së heroit Enver Zymeri. 

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Zymeri është hero i ligjshmërisë demokratike dhe sovranitetit republikan të Kosovës. Ndërsa ka përkujtuar atë, Kurti ka përmendur se ndryshe nga 13 vjet më parë, gjendja në terren në veri të vendit “ka ndryshuar rrënjësisht”. 

“Në përvjetorin e 13-të të rënies së tij, ajo për çka Enver Zymeri u vra, sovraniteti shtetëror dhe tërësia territoriale, sundimi i ligjit dhe rendi publik në veri të vendit, janë në një nivel krejt tjetër. Kjo falë këmbënguljes së institucioneve të Republikës së Kosovës në realizimin e të drejtës së saj dhe angazhimit të paepur e profesional të kolegëve të Enverit, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Rrjetet dikur të shtrira dhe të fuqishme të strukturave të paligjshme dhe kriminale në veri, të mbështetura nga Beogradi zyrtar, që për vite e kanë terrorizuar dhe mbajtur peng veriun e Kosovës, nuk e kanë më as shtrirjen dhe as forcën e dikurshme. Tani, policët e Kosovës e kontrollojnë veriun e vendit dhe shërbejnë për të gjithë qytetarët pa dallim sikur në çdo pjesë tjetër të Kosovës”, ka shkruar Kurti në Facebook. 

Kurti ka theksuar se nivelin e lartë të Policisë e ka dëshmuar operacioni në Banjskë më 24 shtator 2023 gatë sulmit terrorist të grupit serb. 

"Me policë trima si Enveri dhe si shokët e kolegët e tij, Kosova do t’i dalë zot gjithë territorit dhe qytetarëve të saj, duke e mbrojtur demokracinë dhe tërësinë e saj", ka theksuar Kurti.

Në nderim të policëve të rënë në detyrë, në vend do të bëhen homazhe shtetërore. Aktivitete do të zhvillohen edhe në veri, si hedhja nga ura e Liqenit të Ujmanit. 

Më 26 korrik është data kur ishte vrarë polici Zymeri gjatë një aksioni në veri të vendit, e më 27 korrik 2021 ishte zbuluar pllaka përkujtimore për 21 heronjtë e Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës ndër vite. Nga atëherë, në krye të detyrës gjatë përballjes me grupin kriminal serb në Banjskë ka rënë edhe polici Afrim Bunjaku. 

Foto e publikuar nga Sindikata e Policisë së Kosovës


 

Osmani: Guximi i policëve të rënë në detyrë është shembull i shërbimit për atdhe

8 muaj më parë / 26 kor 2024 14:53
23 policet e rene

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka kujtuar heroin Enver Zymeri dhe të gjithë policët e rënë në detyrë.

Ajo ka thënë se guximi i policëve të rënë në detyrë është shembull i shërbimit për atdhe. 

23 policët e rënë presidentja i ka quajtur krenari për Kosovën. 

“Guximi, përkushtimi dhe profesionalizmi i tij dhe kolegëve të rënë në detyrë janë shembulli i shërbimit dhe sakrificës për atdhe. Trashëgimia e tyre është testament i ndershmërisë, qëndrueshmërisë dhe patriotizmit. Në këtë ditë, i kujtojmë edhe të gjithë policët e rënë në krye të detyrës që nga themelimi i Policisë së Kosovës.  Ata janë nderi, krenaria dhe përpjekja për ndërtimin e një Kosove të sigurt për të gjithë”, ka thënë Osmani.

 

Haradinaj: Shembulli i Zymerit dhe të tjerëve janë modeli mbi të cilin frymon shteti

8 muaj më parë / 26 kor 2024 14:17
Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar heroin Enver Zymeri dhe të gjithë policët e tjerë të rënë në krye të detyrës. 

Ai ka thënë se shembulli i Zymerit dhe heronjve të tjerë “janë modeli mbi të cilin lindi dhe frymon ky shtet”. 

“Jeta dhe përditshmëria e Enverit, Afrimit dhe të gjithë atyre që bien për atdhe, është një mision i pandalshëm, i cili ushqehet nga vizioni se kushdo që prek territorin dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, do të përballet me fuqinë në rritje, të cilën e ndjejnë vetëm ata që kanë dhuntinë që, kur e kërkon atdheu, të gjenden në pikat më të larta të shërbimit me dinjitet”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

 

Konjufca: 23 policët e rënë në detyrë janë shembulli se si mbrohet e ardhmja jonë

8 muaj më parë / 26 kor 2024 13:39
Glauk Konjufca

Photo: Driton Paçarada

Në Zubin-Potok, para pllakës përkujtimore në vendin e rënies së heroit Enver Zymeri, u bënë homazhe. Kryeparlamentari Glauk Konjufca bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha, bënë nderime aty.

Konjufca ka thënë se policët që ranë në krye të detyrës janë shembulli se për mbrojtjen e vendit nuk duhet të kursehet as jeta. Ai u zotua për mbështetje të përhershme ndaj familjeve të policëve të rënë.

“Më 26 korrik është dita e kujtimit të të gjithë policëve të rënë në detyrë. Ne vizituam edhe familjet e Afrim Banjakut dhe Enver Zymerit të cilët e dhanë jetën e tyre duke e mbrojtur shtetin dhe sovranitetin e Kosovës. Bëmë homazhe për Afrimin, Enverin dhe të gjithë policët e tjerë që kanë rënë në detyrë, 23 prej tyre duke e dhënë jetën dhe shembullin se për të mbrojtur sigurinë e ardhmërisë sonë, sigurinë e fëmijëve tanë, nuk duhet të kursehet as jeta. Institucionet e Republikës gjithmonë do qëndrojnë pranë familjeve të heronjve tanë, policëve të rënë, sepse vetëm kështu tregojmë se jemi shtet serioz, shtet që e ngreh në nivelin më të lartë shembullin e sakrificës për të mirën e përgjithshme”, ka thënë Konjufca pas homazheve.

“Frymëzim i të gjithëve”, nderohet heroi Enver Zymeri

8 muaj më parë / 26 kor 2024 11:45
policia

Photo: Driton Paçarada

“Frymëzim” është quajtur heroi Enver Zymeri, i cili ra në krye të detyrës gjatë një aksioni në veri 13 vjet më parë. 

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se falë përkushtimit dhe vendosmërisë që ka shfaqur Policia, është arritur që të shtrihet sovraniteti, rendi dhe ligji në tërë territorin e vendit. 

“Heroizmi dhe sakrifica e Enver Zymerit dhe e të gjithë zyrtarëve policorë që kanë rënë në krye të detyrës, janë një burim frymëzimi dhe krenarie për të gjithë ne”.

E, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Enver Zymeri është kthyer në shembull e motiv për qindra vajza e djem që shërbejnë në çdo cep të Kosovës. 

“Sot dhe çdo ditë u jam mirënjohës djemve e vajzave tona që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës dhe shërbejnë e mbrojnë Republikën tonë, duke realizuar kështu aspiratat e 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës”. 

 

Konjufca me Bislimin e ministra bëjnë homazhe te lapidari i policëve të rënë në krye të detyrës

8 muaj më parë / 26 kor 2024 10:19
Homazhe te lapidari i policëve të rënë

Photo: Driton Paçarada

Janë kryer homazhe pranë lapidarit të policëve të rënë në krye të detyrës – që gjendet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Nga zyrtarët shtetërorë kanë marrë pjesë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Para lapidarit me 23 emrat e policëve të rënë janë vendosur kurora lulesh.