Arbëri

Kurti: Me Erdoganin diskutuam për bashkëpunim në mbrojtje e ekonomi

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan

Kryeministri Albin Kurti është deklaruar rreth takimit të së premtes me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan në Ankara.

Ai ka thënë se në këtë takim kanë diskutuar për mundësitë e reja të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë dhe të mbrojtjes, e gjithashtu edhe për marrëdhëniet dypalëshe.

“Të hënën do të mbahet forumi i parë ekonomik për bizneset nga Kosova dhe Turqia, ku ofrohet mundësia për thellimin e lidhjeve dhe nxitjen e investimeve”, ka shkruar Kurti në platformën X.

Siç është raportuar nga mediet turke, takimi midis Kurtit dhe Erdoganit ka qenë i mbyllur për media dhe ka zgjatur rreth dy orë.

Bashkë me Erdogan në takim kanë qenë zvëndëspresdienti Cevdet Yilmaz dhe ministri i Mbrojtjes, Yasar Guler.

 

 


Kurti pritet në Ankara nga Erdogani

(E përditësuar 14:05) Kryeministri Albin Kurti ka takuar presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Ankara.

Në faqen e Presidencës turke janë publikuar fotografitë e takimit, ndërkohë Kurti pati njoftuar më herët për vizitën e tij në Turqi.


Kurti udhëton në Turqi, do të takohet me Erdoganin

Kryeministri, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi ka udhëtuar të enjten mbrëma drejt Turqisë.

Në një njoftim të Zyrës për media të Kryeministrisë, thuhet se në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, “ai do të mirëpritet nga presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, si dhe do të takohet edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan”.

Qëndrimin në Turqi, Kurti do ta vijojë në Stamboll, ku thuhet se do të marrë pjesë në forumin e parë ekonomik të bizneseve ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.

Kurti të enjten në Prishtinë ka pritur në takim të enjten ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili. 

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhej se ditëve në vijim mund të ketë një takim midis Kurtit dhe presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan. 

“Në Stamboll do të mbahet edhe Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë ku do të marrin pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Turqia si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar”, thuhej në njoftimin e lëshuar nga ZKM-ja.