Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se që kur e ka marrë mandatin ka rritur buxhetin për ushtrinë. E njohës të sigurisë vlerësojnë se përpjekjet për forcim të Forcës së Sigurisë të Kosovës duhet të shtohen edhe më tej pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Për përkujdesje ndaj fushës së mbrojtjes është lavdëruar këtë të diel Qeveria e Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se buxheti për ushtrinë është rritur për gati 200 për qind.
Teksa i ka përmendur edhe blerjen e të paktën gjashtë dronëve Bayraktar, Kurti ka paralajmëruar rritje të buxhetit edhe më tej për Forcën e Sigurisë.
“Ministrisë së Mbrojtës iu ndanë 100 milionë euro buxhet për herë të parë në vitin 2021. Prej atëherë, minimumi është aq, kurse tavani sa vjen e ngrihet. Për vitin 2023, buxheti për ushtrinë është 141 milionë euro, më shumë se dyfishim krahasuar me kohën kur morëm në drejtim Qeverinë.... Me Forcën e Sigurisë, të sigurt në mbrojtje të Republikës”, ka thënë Kurti.
E ekspertë të sigurisë thonë se pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, institucionet duhet t’i përvishen punës për forcim të institucioneve të sigurisë.
Kanë vlerësuar se për Forcën e Sigurisë të Kosovës duhet rritur mbështetja e përpjekjet për t’i tejkaluar objektivat që i ka vënë shteti për të investuar në të.
“FSK-ja po ngrit kapacitete dhe tash mbetet në çështjen e integrimeve rajonale, për shembull Karta e Adriatikut ka mbetur çështja e kësaj fazës së partneritetit për paqe është një domosdoshmëri e kalimit para anëtarësimit në NATO, e cila konform rreziqeve dhe kërcënimeve çfarë janë, duhet që edhe niveli politik edhe institucional të veprojmë më shpejt në kuptim të avancimit edhe mundësisë së integrimeve të FSK-së edhe në NATO edhe në aspektin e bashkëpunimit edhe rajonal, dhe pjesëmarrja në manovrat e organizuara nga NATO”, ka thënë Nuredin Ibishi - ekspert i sigurisë.
“Mendoj që tani në planin gjithë përfshirës të FSK-së që do të duhet ta përmbyllte në 2028, do të duhet që të shikohet në aspektin edhe financiar që në vitin e ardhshëm buxhetor të kemi edhe një shtim më të madh të pjesës financiare për të ngushtuar, apo shkurtuar pjesën e tarnsicionit që do të duhet që të jetë deri në 2028 po tani duhet ta bëjmë deri në 2026”, ka thënë Drizan Shala, njohës i sigurisë.
Më 24 shtator, një grup personash të maskuar dhe të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe autoritetet thanë se gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues.
Kosova ka fajësuar Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.