Menjëherë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, kryeministri Albin Kurti ka nisur të merret me zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen në vjeshtë.
Në një postim në Facebook të shtunën, Kurti ka postuar një hartë me të gjitha komunat e Kosovës dhe mbi to ka vendosur rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke i lënë porosi aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Hartë që duhet të na shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë”, ka shkruar ai në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2021 pati korr fitore në zgjedhjet parlamentare, por kishte performuar dobët në ato lokale.
Aktualisht udhëheq në katër komuna: Gjilan, Podujevë, Shtime e Kamenicë.
Në anën tjetër, Kurti do të ketë punë të sigurojë 61 vota për ta marrë mandatin e kryeministrit. LVV-ja në zgjedhjet e 9 shkurtit fitoi 48 deputetë, dhjetë më pak se në zgjedhjet e kaluara.