Kryeministri Albin Kurti derisa ka bërë thirrje për deputetët të votojnë pro projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin për vitin 2025, ka thënë se me këtë buxhet familja shihet si tërësi dhe njësi, ndërsa përfitime do të kenë edhe bizneset dhe ekonomia. 

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare që po mbahet me vetëm një pikë në rend dite, Kurti ka thënë se me këtë buxhet prioritet është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik. 

“Me këtë buxhet, të nderuar deputetë, përfitojnë edhe bizneset edhe ekonomia. Së pari përfitojnë nga rritja e fuqisë blerëse të familjes. Nga 12 miliardë euro sa ishte para qeverisë tonë për vitin 2024 pritet të kalojë 24 miliardë qarkullim. Ky buxhet parasheh mbështetje të buxheteve edhe për qasje në financa. Kjo mbështetje vjen si vijim i mbështetjes së realizuar gjatë viteve që lamë pas. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme afatmesme pritet të vijë nga konsumi. Konsumi do të rritet nga rritja e pensioneve, rritja e shtesave të fëmijëve jo çfarëdo rritje, rritja e koeficientit për të gjithë të punësuarit, si dhe rritja e pagës minimale që ndodh pas më shumë se një dekadë stagnimi. Me këtë buxhet e kemi prioritet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ju ftoj edhe ta votoni buxhetin 2025”, ka thënë ai. 

Ai tutje ka lavdëruar punën përgjatë qeverisjes së tij 4-vjeçare, duke thënë se ka pasur rritje në mënyrë konsistente në numrin e të punësuarve. 

“Për katër vjet numri i të punësuarve është rritur në mënyrë konsistente, gjë që nuk ka ndodhur në asnjë qeveri më herët. 78 mijë vende pune po arrin më shumë se sa kur e kemi marrë mandatin në pranverën e 2021-s. Në qeverisjet e kaluara, qoftë edhe kriza më e vogël e jashtme e ngadalësonte rritjen ekonomike. Të hyrat buxhetore kanë vazhduar performancën e tyre tejet të kënaqshme, kanë shënuar rritje të konsiderueshme”, ka thënë ai. 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se prioritete të rëndësishme pritet të jën autostradat Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Pejë, Prishtinë-Gjilan dhe Prizren-Tetovë.

Ai ka thënë se 100 milionë euro janë paraparë për barna esenciale, 145 milionë euro për fëmijë dhe lehona, 100 milionë për kulturë e sport.

Muja ka shtuar se për herë të parë, buxheti për Ministrinë e Drejtësisë dhe të gjithë sektorët pritet të jetë 120 milionë euro, 200 milionë euro për mbrojtje e 230 milionë euro për ministrinë e Punëvë të Brendshme.

“Është evidente që të hyrat në katër vitet e fundit janë rritur për mbi 85 për qind ashtu si edhe shpenzimet”, ka shtuar ai.

Ndërsa, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka thënë se asnjë projekt i rëndësishëm e madhor nuk mbahet mend nga qeverisja aktuale.

Këta besimin e qytetarit e kanë marrë si privilegj dhe po mendojnë që në karriget e pushtetit do të qëndrojnë përgjithmonë. Fjalimet populliste nuk po i ngopin qytetarët. Një planifikim i buxhetit do të kontribuonte në përmbushjen e nevojave të qytetarëve, gjë që nuk po ndodh me këtë Qeveri. Buxheti i shtetit nuk është hajgare...Nëse nuk hartohet siç, duhet jo vetëm që nuk ndihmon, por mundet me përkeqësu situatën. Planifikimi i shpenzimeve është i keq pa kurrfarë efekti në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në përgjithësi. Buxheti që nga viti i paraluftës është rrit nga viti në vit. Rritja e buxhetit te pjesa e të hyrave nuk paraqet ndonjë risi”, ka shtuar ai.

Miratohet në parim buxheti për vitin 2025

4 muaj më parë / 11 nën 2024 18:38
Kuvendi i Kosoves

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025. 

Me 59 vota për, dy abstenime e zero kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin mbi ndarjet buxhetore. 

Deputeti i pushtetit Armend Muja ka propozuar që të shmangen afatet e rregulloreve të Kuvendit për shqyrtim të projektligjit për ndarjet buxhetore. Ai ka propozuar që shqyrtimi i dytë të bëhet në seancën e Kuvendit më 21 nëntor. Ndaj kësaj kanë reaguar opozita.

Me 60 vota për dhe një abstenim u votua mocioni i propozuar nga Armend Muja. 

Buxheti për vitin 2025 do të jetë 3.6 miliardë euro dhe është 9 për qind më i lartë se buxheti i vitit 2024. 

Gërvalla-opozitës: Në fushatë shihemi në janar, por atëherë do të përdorim tjetër gjuhë

4 muaj më parë / 11 nën 2024 17:55
Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka akuzuar partitë opozitare se gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet nuk kanë takuar mërgatën shqiptare, derisa tash kritikojnë kryeministrin Albin Kurti për tubimet me diasporën.

Sipas saj, ish-pushtetet e kaluara i kanë mbushur ambasadat me jaranë, vëllezër dhe motra, të cilët kanë qëndruar vetëm me njerëz që kanë bërë biznese, duke anashkaluar diasporën.

Duke iu kundërpërgjigjur kritikave të partive në opozitë se po shfrytëzojnë ambasadat për fushatë elektorale, Gërvalla tha se tubimet me mërgatën s’ka pasur asgjë në përmbajtje me fushatën zgjedhore.

Ajo gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet projektligji për buxhetin e vitit 2025, i tha opozitës se në fushatë do të shihen në janar, mirëpo sipas saj, atëherë do të ketë fjalë të tjera.

“Veç po mos bërtisni, qetësohuni pak se nuk është mirë për shëndet. Unë iu kuptoj juve, iu kuptoj se ju njoh shumë mirë jo vetëm këtu në Kuvend, por edhe si pjesë e qindra mijëra shqiptarëve jashtë vendit. Kur keni ardhur në ambasada që i keni mbush me jarana, me vllazën, motra të juaj, keni ardhur e keni nejt veç me njerëz që keni bërë biznese, keni paguar 500 mijë euro për libra e sene. Nuk keni marrë guximin me ardh me u taku me neve, që keni qenë pjesë e komunitetit atje. Fort mirë e kuptoj që juve çuditeni siç mundet kryeministri me ardh vullnetarisht e me taku mërgatën. Qysh nuk frikësohet me taku mërgatën, vjen dhe flet me ta, iu përgjigjet pyetjeve, dëgjon kritikat, dhe mundohet. Ju para se me fol, është mirë me dëgju, janë LIVE tubimet që kemi mbajtur. S’ka as në ton dhe as në përmbajtje ndonjë gjë të fushatës. Fushata vjen në janar. Po jo vetëm në Kosovë edhe në diasporë do të shihemi në fushatë. Mirëpo, atëherë do t’i kemi do fjalë të tjera në fushatë”, theksoi ajo.

Krahas kësaj, duke përmendur buxhetin e ministrisë, ajo tha se më nuk paguajnë bileta luksi për zyrtarë apo përfaqësues qeveritar.

“Një arritje kjo që dëshmon përkushtimin tonë përkushtimin tonë ndaj një menaxhimi të përgjegjshëm dhe efektiv të fondeve publike. Nuk paguajmë më bileta luksi për zyrtarë apo për përfaqësues qeveritar dhe kemi rregulluar bazën ligjore për shpenzimet e qirave të diplomatëve”, tha ajo.

Mirëpo, kryediplomatës kosovare i reagoi deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e cila tha se diplomacia kosovare ka dështuar në fuqizimin ndërkombëtarë të Kosovës, njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

“U tha se nuk ka bileta luksi me qeverinë tuaj. Më lejoni t’iu rikonformoj se janë nëntë udhëtime të largëta që ju bashkë me Lizën shkoni të dyja bashkë dhe jeni në evente të njëjta, pa asnjë rezultat, asnjë njohje, as një anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ajo çka ishte në Këshill të Evropë”, tha ajo./Ksp

Maqedonci: Sot 1.000 ushtarë të FSK-së kanë ngrënë biftekë të klasit të parë

4 muaj më parë / 11 nën 2024 17:49
Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se lajmet që kanë qarkulluar rreth problemeve me ushqim në FSK janë të rrejshme. Në seancën e Kuvendit të Kosovës ai ka thënë se ushtarët e Kosovës po ushqehen me tri shujta.

Ndërsa ka shtuar se 1000 ushtarë në Babaj të Bokës kanë ngrënë sot për herë të parë biftekë të klasit të parë. 

“Ushtarët po vazhdojnë të ushqehen me tri shujta. Sot 1000 ushtarakë në Babaj të Bokës për herë të parë kanë ngrënë biftekë të klasit të parë, që është servuar pikërisht nga stafi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Qëndrueshmëria nuk është koncept i Lindjes por i Perëndimit, i çdo ushtrie moderne që synon që varësinë nga operatorët ekonomikë ta transformojë në një kapacitet vetanak për ta rritur dhe përkrahur operacionalitetin”, ka thënë Maqedonci duke iu përgjigjur deputetit të PDK-së, Hisen Berisha. 
 

Rizvanolli thotë se qytetarët e komunave tjera s'po e paguajnë më rrymën në veri

4 muaj më parë / 11 nën 2024 17:40
Artanë Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë fjalës së saj në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se pagesa për energjinë elektrike në veri është zero euro, paguar prej qytetarëve të Republikës së Kosovës, përderisa siç tha ajo, për 23 vite të kaluara ka qenë 385 milionë euro.

Ndërsa, ka shtuar se ka vendos që të mos përgjigjet derisa një e pavërtetë ose keqinterpretim të përsëritet së paku tri herë.

Në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet buxheti për vitin 2025, Rizvanolli ka thënë se nuk është e vërtetë që çmimi i energjisë elektrike është më i larti në rajon dhe se është sa në Suedi. Duke shtuar se po ashtu nuk është e vërtetë që është premtuar ulja e çmimit të energjisë elektrike.

“Kam vendosë sot mos me u përgjigj derisa një e pavërtetë ose keqinterpretim të përsëritet së paku tri herë, disa prej tyre kanë mbërri deri në 7 herë deri tash...Dyfish më shumë kapacitete janë filluar projekte brenda një mandati, se sa krejt 22 vitet e kaluara gjatë të cilave keni qeverisur. Nuk shkon dita as java pa e dëgjuar një gënjeshtër në lidhje me çmimet, dyfish, trefish çdo vit, 117 për qind, 200 për qind e të tjera. E vërteta është 10.9 për qind për një familje mesatare 4-anëtarëshe është rritur çmimi i energjisë për vitin 2023 në krahasim me 2020 sipas të dhënave nga Eurostati. Çmimi i energjisë elektrike është më i larti në rajon, disa thonë është sa në Suedi çmimi i energjisë elektrike, në Holandë e të tjera. E vërteta është që është më i liri në rajon dhe në Evropë. Keni premtuar ulje të çmimit, është e pavërtetë”, ka deklaruar Rizvanolli.

Ndërsa, sa i përket energjisë elektrike në veri, ajo ka thënë se në vitin 2024, pagesa për energjinë elektrike në veri, është zero euro, paguar prej qytetarëve të Republikës së Kosovës, përderisa për 23 vite të kaluara ka qenë 385 milionë euro.

“Diçka tjetër që ka ndodhur përgjatë viteve të qeverisjes tuaj ka qenë eksplodimi i konsumit në pjesën veriore të vendit. Në vitin 2019 është rritur për 8.1 për qind konsumi në krahasim me viti paraprak, në vitin 2020, 13.7 për qind, në vitin 2021, 13 për qind, kjo nuk ka qenë vetëm për ngrohje, dhe nuk ka qene vetëm për biznes atje. Ka qenë, sepse ka qenë duke lulëzuar krimi i organizuar, droga e kriptovalutat. Kur ka filluar Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës, Dogana dhe institucionet tjera t’i luftojnë këto dukuri, kanë filluar të shihen rezultatet. Në vitin 2022 është ulur për 2.5 për qind konsumi, në vitin 2023 është ulur konsumi sërish për 13 për qind. Ndërsa në janar-gusht të vitit 2024, pasi është zgjidhur çështja e mospagesës së energjisë në katër komunat veriore, për herë të parë pas 24 vitesh konsumi është ulur për 35 për qind. Pagesën e energjisë elektrike për komunat veriore nuk e kemi sjellë ne, madje as Elektroserverin nuk e kemi sjellë ne, e keni nënshkruar marrëveshjen në vitin 2013, mirëpo nuk keni qenë në gjendje të realizoni. Sot në vitin 2024 pagesa për energjinë elektrike në veri është zero euro, paguar prej qytetarëve të Republikës së Kosovës, përderisa për 23 vite të kaluara ka qenë 385 milionë euro”, ka shtuar Rizvanolli./Ksp

Murati: S’mund të rregullohet për një mandat diçka që u shkatërrua për 20 vjet

4 muaj më parë / 11 nën 2024 12:17 Nga: Valbona Bytyqi
Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se çka është shkatërruar për 20 vjet “mund të rregullohet për një mandat”, duke i reaguar deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku që foli për qeverisjen Kurti.

Murati ka thënë të hënën para deputetëve gjatë kësaj qeverisjeje ka pasur rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore, e sipas tij, në të kaluarën ka pasur rritje vetëm dy herë.

“Nëse e shikojmë dekadën kur ju keni qeverisur, janë vetëm dy vjet kur ka pasur rritje të të hyrave buxhetore. Të vetmet raste kur ju keni pas rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore janë kur i keni rritur taksat në barrë të qytetarëve”, është shprehur Murati.

Ministri ka shtuar se ka pasur dyfishim të eksportit gjatë këtij mandati.

“Vetëm një ish-kryeministër që nuk ka bërë asgjë mund të thotë se ndikimi është zero i shtesave për fëmijët. Nuk ndaj mendimin me ju që ndikimi i këtyre masave është zero. Pyetni ato gra për ndikimin. A e shohim sa investime kapitale keni bo ju nëse e përjashtoni autostradën... asnjë vit për mbi 200 milionë euro s’ka kaluar...Sa i përket rritjes ekonomike, më lejoni të them që përkundër sfidave globale, ekonomia asnjëherë nuk ka ra nën 4 për qind rritje. Për juve 4 për qind ka qenë mesatarja në kushte normale. Rritja 3-4 për qind që e keni pas ju është për shkak të deficitit”, ka shtuar Murati.

Ai ka theksuar se rritja ekonomike vjen si rezultat i investimeve.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se ministri Murati po e shet inflacionin si luftë ndaj kontrabandës. Sipas saj, Qeveria ka dështuar të bëjë zhvillim ekonomik.

“Keni dështuar. Nuk mund të shitni propagandë. Për secilin argument që e jepni, mund të rri në foltore të demantojë me referenca”, ka shtuar ajo.

Ndërsa, deputeti i kësaj partie, Arben Gashi, u shpreh se çmimi i miellit është rritur.

“Më bëri përshtypje që tha ministri se çmimi i grurit në bursë është si i para pandemisë. Ministër qytetarët grurin e miellit nuk e blejnë në bursë po në market. Është kundërkushtetuese... është kundër parimeve se si është ndërtuar ekonomia e Kosovës. Të ka kallëzuar Gjykata Kushtetuese. Veç duhet me lexu. Ndërhyrja në çmime veç kur ke gjendje të jashtëzakonshme. Por jo me vendime qeveritare me të kallëzu se sa me shit”, ka thënë ai.

Më pas ministri Murati ka reaguar duke thënë se ligji për çmimet tavan nuk ka asgjë kundërkushtetuese.

 

Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se ky buxhet e injoron krizën energjetike.

“Kjo Qeveri po vazhdon të luajë me qëndrueshmërinë energjetike. Ne mund të shohim se do përshkallëzohet furnizimi me energji në vend. Ky buxhet na lë me projekte të papërfunduara. Jemi dëshmitarë të rritjes së shpenzimeve të panevojshme për zyrtarët qeveritarë”, ka shtuar ai.

Lekaj ka shtuar se Qeveria e Kurti “e ka humbur busullën”, derisa pyeti ministrin Murati për ndërtimin e çerdheve dhe shtëpive të të moshuarve.

“A keni bo hajgare a? Kjo Qeveri e ka humbur busullën dhe është Qeveri që i ka mashtruar në vite qytetarët. Prandaj qytetarët me të drejt thonë që e kemi humbur shpresën në Kosovë dhe ia mësynë perëndimit”.

Tahiri-Qeverisë: Ua keni nda dostave 240 milionë euro

4 muaj më parë / 11 nën 2024 12:02 Nga: Valbona Bytyqi
Besnik Tahiri

Photo: Driton Paçarada

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se ministri i Financave, Hekuran Murati, duhet të tregojë pse 80.000 njerëzve nuk ua ka rritur koeficientin e pagave, duke u shprehur se në të kaluarën partia aktuale në pushtet kishte premtuar rritje të pagave e pensioneve.

Tahiri ka akuzuar Qeverinë se ua ka ndarë ‘dostave’ të saj 240 milionë euro nëpërmjet tenderëve njëburimorë.

 “Po është rritur ekonomia, është e vërtetë. 240 milionë euro ua keni dhënë dostave të juve përmes tenderëve njëburimor. Kam pasur shumë besim në këtë projektin ‘Superpuna’, më ka pëlqyer si projekt. Ky jo që është ‘Superpuna’, por është superdështim. Punësimi është rritur, por jo në Kosovë. Është rritur në diasporë”, është shprehur ai.

Shefi i GP të AAK-së ka kërkuar nga Qeveria që t’i përmendë pesë persona që janë kthyer nga diaspora në Kosovë

Hoti për buxhetin: Qeveria e ardhshme do ta ndryshojë

4 muaj më parë / 11 nën 2024 11:39 Nga: Valbona Bytyqi
Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore duhet të shqyrtohet si një dokument i përkohshëm pasi sipas tij, në zgjedhjet e shkurtit Qeveria do të ndryshojë, duke shtuar se buxheti ka shumë mangësi.

Sipas Hotit, Kurti në fjalimin para deputetëve përmendi elementë të caktuar të buxhetit, por pa i përmendur e bëra më herët.

“Besoj se këtë ne duhet ta shqyrtojmë si dokument të përkohshëm, pasi sigurt Qeveria e ardhshme do ta ndryshojë....Në shëndetësi, sigurime shëndetësore dhe sistemin informatik shëndetësor, asnjë nuk është realizuar. Te privatizimi, rishikimi i privatizimeve, fondi sovran dhe banka zhvillimore...Buxheti gjatë këtij mandati qeverisës 11. 4 miliardë euro, ndikimi në ekonomi dhe shoqëri është pothuajse zero. Kanë ndërruar raportet mes subvencioneve dhe investimet kapitale. Janë rreth 520 milionë euro subvencione. Edhe ato investime kapitale që janë premtuar nuk janë realizuar... kanë qenë të planifikuara 3 miliardë euro, janë realizu vetëm 1.2 miliardë euro”, është shprehur ai.

Deputeti i LDK-së ka shtuar se janë paguar 165 milionë euro avancë për investime kapitale, duke shtuar se vetëm 9 për qind e investimeve kapitale janë investime të reja.