Arbëri

Kurti insiston në nënshkrim të marrëveshjeve me Serbinë

Qeveria ka paralajmëruar se më së largu të premten do të dalë me njoftim lidhur me komentet që ia ka kërkuar emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, mbi Planin e Sekuencimit të Marrëveshjes së Brukselit, për çka afati ka përfunduar të enjten. Por kryeministri Albin Kurti e ka përsëritur se pa nënshkrim të marrëveshjeve nuk mund të ketë garanci se ato do të zbatohen

Në ditën e fundit kur Qeveria do të duhej t’i dorëzonte komentet në Bruksel mbi planin e sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ekipi i zëvendësit të tij, Besnik Bislimi, është duke punuar në këtë çështje. 

Tek paralajmëroi se do të dilet me njoftim më së largu të premten, Kurti në një konferencë për media, të enjten, ka deklaruar se duhet të ketë respektim të marrëveshjes.  

“Para se të kemi kërkesa për zbatim të marrëveshjes duhet të kemi respektim të marrëveshjes. Nuk do të mund të kemi zbatim të vërtetë as të qëndrueshëm nëse nuk kemi respektim të sinqertë dhe serioz. Serbia këtë nuk e ka bërë, përkundrazi e ka shkelur për çdo javë prej që është pranuar ajo në shkurtin, përkatësisht në marsin e vitit të kaluar, duke kulmuar me letrën e zonjës Bërnabiq asokohe kryeministre e Serbisë në mes të muajit dhjetor drejtuar 27-shes së Bashkimit Evropian, ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja duke thënë se nuk vijnë në konsiderim pavarësia për Kosovën, ulësja në OKB dhe integriteti territorial”, ka thënë Kurti.  

Ai e ka përsëritur kërkesën për nënshkrim të dokumenteve si garanci se do të ketë zbatim të ujdive. 
“Ne insistojmë në respektim të marrëveshjes dhe zbatim të marrëveshjes. Për këtë gjë nevojitet nënshkrimi, sepse nënshkrimi do të ishte garanci e sinqeritetit e seriozitetit, e mirëbesimit për zbatim të marrëveshjes dhe do të spostonte të gjitha ato shkeljet e mëhershme. Ekipi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi është duke punuar edhe në këtë kohë që ne po flasim, në mënyrë që t’i përgjigjen Brukselit në mënyrë adekuate dhe të merituar”, është shprehur Kurti. 

Ndërkohë, në zyrën e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk kanë ofruar përgjigje lidhur me këtë çështje. Krahas hapave drejt zbatimit të marrëveshjes, BE-ja kërkon prej Kosovës të përmbahet prej veprimeve, siç i quan ajo, të njëanshme, pas paralajmërimeve për hapjen e Urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve. Duke u përgjigjur rreth kësaj çështjeje, Kurti ka deklaruar se hapja e Urës nuk është kundër askujt. 

“Ne patëm një takim përmbajtjesor konsultativ me 5 ambasadorë të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së me ç’rast diskutuam për situatën e sigurisë në përgjithësi për zhvillimin e gjithmbarshëm të Kosovës e në veçanti për nevojën e hapjes së urës që është një marrëveshje e para shumë vjetëve në Bruksel nga dekada e kaluar. Natyrisht se askush nuk mund të thotë se kjo nuk është një gjë e mirë ose e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji dhe të respektohet liria e lëvizjes, por në të njëjtën kohë edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, ka theksuar Kurti.

Qeveria që udhëheq Kurti e ka përkrahur vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjeteve, i cili nuk është vënë në zbatim ende. 

“Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër që ne e synojmë nuk është kundër askujt, por është për qytetarët dhe për mallrat e për kapitalin, i ndihmon njerëzit në të dy anët e Ibrit pa dallim etnie gjithashtu edhe tregtinë ekonominë, bashkëpunimin. Janë edhe tri ura të tjera mbi lumin Ibër dhe të mbetet vetëm kjo urë e mbyllur për vetura nuk mendojmë që është në rregull. Ura e ka karakterin e baypassit, pra ura është aty për të kaluar një lum, liqen apo greminë e tash nuk mund të kemi ura që janë baypass për një urë”, ka deklaruar ai. 

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit është pjesë e dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian – asaj të vitit 2015 dhe të 2016. 

Punët për rivitalizimin e Urës mbi lumin Ibër, të cilat ishin financuar nga BE-ja, kanë përfunduar prej vitesh, por që ajo nuk është hapur asnjëherë. 

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë ditë më parë se hapja e pakoordinuar e Urës së Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë. 

Sipas tij, ajo gjithashtu mund të komplikojë edhe më tej procesin e normalizimit. 

“Vazhdimisht u kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t'i adresojnë çështjet në dialog dhe të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara. Në këtë rast, hapja e pakoordinuar e urës kryesore të Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë dhe të komplikojë më tej procesin e normalizimit. Edhe pse jam dakord që ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe të dakorduar”, ka thënë ai. 

Ura mbi lumin Ibër, apo siç e kishin pagëzuar ushtarët e KFOR-it francez, “Austerlitz”, si sinonim i betejës së përgjakshme të para 214 vjetëve kundër austro-rusëve, vazhdon të jetë simbol i ndarjes etnike ndërmjet shqiptarëve e serbëve. Dhuna nuk ishte ndalur as pas pozicionimit të trupave të NATO-s, ku jo rrallë ka qenë arenë e përplasjeve edhe të përgjakshme. 

Pamja e urës ka ndryshuar ndër vite. Nga gurët e zhavorri, pastaj pishat e të ashtuquajturit “Park i paqes” dhe muri i lartë dy metra, tashmë hapësira përreth urës është transformuar në shëtitore. Por nuk është larguar edhe pengesa e fundit për lëvizjen e lirë të automjeteve.