Kryeministri Albin Kurti ka ftuar gratë, vajzat, burrat e djemtë që kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës të thyejnë heshtjen për krimin e përjetuar.
Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, Kurti ka bërë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria.
“Gjatë viteve 1998 – 99, në Kosovë dhuna seksuale është përdorur si armë lufte nga Serbia. Ky është krim jo vetëm ndaj individit, por ndaj gjithë shoqërisë. Andaj ka lënë pasoja të thella dhe të gjëra. Në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt, bëjmë thirrje për solidaritet nga familjet dhe shoqëria. Është detyrim yni i përbashkët t’i përkrahim të mbijetuarat. Të jemi zë i fuqishëm e krah i fortë. Sot dhe përherë”, ka shkruar Kurti në Facebook. “Në kujtim të viktimave që kanë humbur jetën, përkulemi me respekt. Nderojmë të mbijetuarat për forcën e qëndresën e tyre. Angazhohemi për mbështetje institucionale dhe për drejtësi”.
Teksa ka njoftuar se është zgjatur afati për aplikim për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës deri më 15 maj 2025, Kurti ka inkurajuar viktimat që të thyejnë heshtjen.
Nga 2.083 persona sa kanë aplikuar për të marrë statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, 1.650 prej tyre u është njohur kjo e drejtë, ka bërë të ditur ditë më parë kryesuesja e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë, Leonora Selmani.
Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës në Kosovë është themeluar në shkurt të vitit 2018, me mandat 5-vjeçar, por ndërkohë është vazhduar edhe për dy vjet.
Personave që u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale të luftës u ndahet pension në vlerë 230 euro në muaj.
Sipas ligjit të miratuar në vitin 2014, statusi u njihet personave që e provojnë me fakte para komisionit qeveritar se ishin viktimë e dhunës seksuale në periudhën 27 shkurt 1998 - 20 qershor 1999.
Osmani: Mbesim të palëkundur, autorët e dhunës seksuale gjatë luftës të përballen me drejtësinë
Presidentja e Kosovës në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, ka thënë se Kosova është e angazhuar që autorët e dhunës seksuale gjatë luftës të dalin para drejtësisë.
Ajo ka thënë se duhet dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si një armë lufte.
“Në këtë Ditë Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, ne vazhdojmë ta nderojmë guximin dhe qëndrueshmërinë e atyre që kanë përjetuar tmerre të papërshkrueshme nën regjimin gjenocidal të Millosheviqit. Këto gra dhe burra të guximshëm na kujtojnë detyrën tonë të përbashkët për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si një armë lufte. Sot, ne shohim të mbijetuarit në Kosovë duke transformuar dhimbjen e tyre në veprim të fuqishëm, duke frymëzuar të panumërt tjerë në kërkim të drejtësisë. Angazhimi ynë është i palëkundur: ne duhet t’i nxjerrim autorët para drejtësisë dhe të sigurojmë që mizori të tilla të mos përsëriten kurrë!” – ka shkruar Osmani në platformën “X”.
On this International Day for the Elimination of Sexual Violence in Conflict, we continue to honor the courage and resilience of those who have endured unspeakable horrors under Milosevic's genocidal regime. These brave women and men remind us of our shared duty to end the use of… pic.twitter.com/2wDT55IVCX
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) June 19, 2024