Takohet edhe me Osmanin

Kurti ia thekson Peachit rëndësinë e sigurisë së kufirit Kosovë - Serbi

Stuart Peach - Albin Kurti

(Përditësuar - 12:18) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka theksuar emisarit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, rëndësinë e sigurisë së kufirit Kosovë – Serbi. 

Ai ka thënë se është dëshmuar në shtator me sulmin terrorist në Banjskë se nga atje vjen agresioni ndaj Kosovës. 

“Në takim u diskutua edhe për sigurinë e Kosovës. Kryeministri theksoi rëndësinë e sigurisë së kufirit me Serbinë, prej nga edhe vjen agresioni ndaj Kosovës, siç edhe u dëshmua në shtatorin e vitit të kaluar. Gjatë bisedës, kryeministri Kurti gjithashtu ndau me Lord Peach reflektimet e tij për vizitën që kishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe takimet në Irlandën e Veriut në fund të muajit shkurt të këtij viti. Ai falënderoi Lord Stuart Peach për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë”, është thënë nga Zyra e Kryeministrit. 

Në përgjigje të sulmit terrorist dhe paramilitar më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, Mbretëria e Bashkuar mori vendim për dislokimin e 200 ushtarëve shtesë nga Regjimenti Mbretëror i Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit, që ju bashkuan misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.


Osmani në takim me Peachin: Anëtarësimi i Kosovës në KiE triumf për demokracinë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me emisarin e Britansië së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte triumf për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. 

“Në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe përtej. Në temën e Këshillit të Evropës, Presidentja Osmani theksoi se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën. Tutje, Presidentja Osmani ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”, është thënë nga Presidenca. 

Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë, me theks të veçantë në veriun e vendit.

Peach ka vizituar Kosovën sot ku është takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti. 


Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, ka arritur në Kosovë të enjten. 

Ai ka pasur sot takime me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. 

Siç ka njoftuar Ambasada e Britanisë në Kosovë, temë e diskutimeve kanë qenë siguria rajonale, integrimi ndërkombëtar I Kosovës dhe marrëdhëniet bilaterale. 

“Sot po e mirëpresim në Kosovë emisarin e kryeministrit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor. Ai nisi takimet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti duke mbuluar sigurinë rajonale, integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe çështjet bilaterale”, ka shkruar Ambasada britanike.