Presidenti i FIFA-së, Gianni Infantino po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, e para kjo në historinë e vendit.
Infantino mbërriti në Kosovë në orën 09:00 të mëngjesit ku u prit në aeroportin “Adem Jashari” nga presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, raporton KosovaPress.
Më pas kreu i FIFA-së u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ky i fundit u pa në humor të mirë gjatë takimit. Në momentin kur Infantino ia dhuroi një top të futbollit si dhuratë ku ishte i shkruar emri i kryeministrit, Kurti në gjuhën angleze i tha Infantinos:
“Meqenëse e keni shkruar emrin tim, mund t’i tregoj opozitës që të më godas këtu”, shaka kjo e cila solli të qeshura tek të gjithë të pranishmit në këtë takim.