Arbëri

Kurti i kërkon Scholzit që ta mbështesë largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës

Takimi Albin Kurti me Olaf Scholzin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Gjermania që ta mbështesin largimin e masave të BE-së ndaj Kosovës. 

Pas sesioneve të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, Kurti ka zhvilluar një takim me kancelarin Scholz. 

“Së bashku diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe fushat në të cilat Gjermania mund ta mbështesë Kosovën. Nga ai dhe Gjermania kryeministri Kurti kërkoi që ta mbështesë largimin e masave të BE-së, gjë që tashmë është kërkuar edhe nga vetë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell. Kryeministri gjithashtu kërkoi nga kancelari Scholz mbështetjen në adresimin e çështjes së hapësirës ajrore të Serbisë e cila mbetet e mbyllur për fluturime komerciale drejt dhe nga Kosova tash e 25 vjet, duke shkaktuar kështu si dëme financiare kompanive të fluturimeve ashtu edhe ndotje të mjedisit për shkak të zgjatjes së fluturimeve për dhe nga Kosova”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit. 

Kurti po ashtu theksoi përkushtimin për bashkëpunim rajonal dhe mbështetjen e plotë për Procesin e Berlinit dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura në kuadër të tij, përfshirë këto që u nënshkruan dhe u dakorduan sot, përkatësisht Marrëveshjen për Qasje në Arsim të Lartë dhe Pranim për të Studiuar në Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025-2028, thuhet nga Kryeministria. 

Në takim u bisedua edhe për raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe procesin  e dialogut. 

“Sa i përket raporteve me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli, kryeministri tha se nënshkrimi i Marrëveshjes Bazike, dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiqit por edhe i grupit të tij për të cilin tashmë ka aktakuzë nga prokuroria e shtetit, dhe tërheqja e letrës së Serbisë në të cilën shpreh rezervat për Marrëveshjen Bazike janë themelore dhe dëshmi e vullnetit të mirë e mirëbesimit nga ana e Serbisë për përmbushjen e shpejtë dhe respektimin e plotë të Marrëveshjes dhe Aneksit të zbatimit. Ai e falënderoi kancelarin për bashkëpunimin e afërt dhe përkrahjen e vazhdueshme të tij dhe Gjermanisë ndaj Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në komunikatë. 


Kurti: Kosovës t’i hiqen masat, t’i jepet statusi i vendit kandidat

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ka kërkuar heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe ka bërë thirrje që vendit t’i jepet statusi i vendit kandidat.

“Në takimet që kemi pasur kemi kërkuar që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese të padrejta, t’i jepet statusi i vendit kandidat dhe sa më parë të na dërgohet pyetësori, me ato mijëra pyetjet që me disiplinë e durim do ta përmbushim, për shkak se as nuk kemi e as nuk duam të kemi ndonjë alternativë ndaj Bashkimit Evropian”, ka thënë ai në deklarimin për media.

Kurti ka thënë se marrëveshjet e arritura gjatë 10-vjetorit të Samitit të Procesit të Berlinit janë afruese të rajonit dhe përshpejtuese në rrugëtimin drejt BE-së.

“10 vjetori i Samitit të Berlinit u kurorëzua me marrëveshjen për qasjen në studime dhe me planin e veprimit për tregun e përbashkët rajonal 2025-2028. Kjo është një e arritur e përbashkët, e cila padyshim që do të jetë e dobishme dhe ndërkohë që afron rajonin përbrenda, në të njëjtën kohë siguron dhe përshpejton rrugëtimin evropian”, ka thënë kryeministri./RTK