Arbëri

Kurti: Fundi i dialogut me Serbinë – njohja reciproke

“Marrëveshja ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që ka në qendër njohjen reciproke, është zgjidhje demokratike, paqësore dhe evropiane”, ka shkruar Kurti pas takimit me Lajçakun të shtunën në Konferencën e Sigurisë në Munih. Vëmendjen e kësaj konference, edhe në ditën e dytë, e ka marrë kriza midis Rusisë dhe Ukrainës

Në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Munih, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një varg takimesh me përfaqësues ndërkombëtarë. Dialogu Kosovë-Serbi, të pagjeturit, reformat në drejtësi, luftimi i korrupsionit e sjellja e investimeve të huaja kanë qenë disa nga temat që kryeministri Kurti dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kanë diskutuar me përfaqësues të ndryshëm të shteteve pjesëmarrëse. Në margjinat e kësaj konference, kryeministri zhvilloi një takim me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit, shkruhet se Kurti dhe Lajçaku kanë biseduar për dialogun, ku nga ana e Kosovës është ripërsëritur qëndrimi për dialog që do të përfundonte me njohje të ndërsjellë. Në këtë tryezë diskutimi me Lajçakun, është biseduar edhe për procesin e Berlinit dhe për gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim rajonal, derisa është potencuar se Kurti ka theksuar vendosmërinë e shtetit të Kosovës që integriteti territorial, sovraniteti dhe kushtetutshmëria të mbesin të pacenuara.

“Në Konferencën e Sigurisë në Munih u ulëm me Miroslav Lajçakun dhe diskutuam çështje të ndryshme lidhur me dialogun. Marrëveshja ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që ka në qendër njohjen reciproke, është zgjidhje demokratike, paqësore dhe evropiane”, ka shkruar Kurti pas takimit.

Në kuadër të kësaj konference, Kurti ngriti edhe çështjen e të pagjeturve me presidentin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Peter Maurerit ka thënë se i ka treguar përkushtimin e ekzekutivit kosovar për ndriçim të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, si dhe vendosjen e drejtësisë.

“Personat e zhdukur me forcë mbeten plagë e hapur e Kosovës që nga viti 1999. 1.617 persona ende konsiderohen të zhdukur. Progresi në këtë fushë është i një rëndësie të madhe për të gjitha familjet e pikëlluara. Me Peter Maurer ne diskutuam mënyrat se si Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq mund të ndihmojë me përvojë dhe ekspertizë”, ka shkruar kryeministri.

Për takimin me kryeministrin Kurti ka shkruar edhe emisari i BE-së, Lajçak. “Patëm diskutime në detaje dhe konkrete për hapat e ardhshëm në dialogun për normalizim me Serbinë para takimit të së martës në nivel të shefave të grupeve negociatore”, ka shkruar Lajçak.

Në lidhje me partneritetin strategjik e mbështetjen e shtetit të Iowas ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryeministri Kurti e ministrja Gërvalla janë takuar dhe kanë biseduar edhe me senatoren, Joni Ernst. Përveç mbështetjes në fushën e mbrojtjes, senatorja amerikane citohet të ketë konfirmuar përkrahje për Kosovën edhe në fusha të tjera zhvillimore. E kryeministri i ka kërkuar zgjerim të bashkëpunimit me theks në ekonomi, bujqësi, mjedis e energji të ripërtërishme. Thirrje për investime dhe përkrahje për zhvillimin ekonomik të Kosovës, Kurti ka thënë se i ka kërkuar edhe ministrit të Agrikulturës së Gjermanisë, Cem Özdemir.

Ndryshe nga takimet e Kurtit, presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, iu bë vend edhe në një panel ku u fol për demokracinë. Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, Osmani ka shfaqur shqetësimin për zhvillimet në rajon, ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe tendencat destabilizuese që vijnë nga aleati i Rusisë, Serbia.

Vëmendjen e liderëve botërorë edhe në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Munih e mori kriza mes Rusisë dhe Ukrainës.

Nënkryetarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka thënë se në rast të një pushtimi rus në Ukrainë, SHBA-ja do t’i forcojë edhe më tej aleatët e NATO-s në krahun lindor. Harris ka thënë se Kremlini nuk ka vullnet të mirë për zgjidhje diplomatike dhe se fjalët e tyre nuk po përkojnë me veprimet.

“Rusia vazhdon të thotë se është e gatshme për bisedime, por në të njëjtën kohë ngushton rrugët për diplomaci”, ka thënë Harris.

Nga Munihu, thirrje Rusisë për t’i ndalur përgatitjet për luftë, i ka bërë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai ka kërkuar nga Moska që t’i tërheqë trupat ushtarakë nga kufijtë e Ukrainës dhe të tentojë të gjejë një zgjidhje paqësore.

Konferenca e Sigurisë në Munih është forum i pavarur ku trajtohen politikat ndërkombëtare të sigurisë. Ajo mbahet për çdo vit dhe është një ndër tubimet më të mëdha në botë të këtij lloji. Edhe sivjet, në këtë konferencë, që ka nisur të premten dhe do të zgjasë deri të dielën, janë bërë bashkë liderë të shumtë botërorë.