Arbëri

Kurti flet me homologun e Lihtenshtajnit për bashkëpunim tregtar

Kryeministri Albin Kurti është takuar të mërkurën me homologun e tij nga Lihtenshtajni, Daniel Risch, në New York

Kryeministri Albin Kurti është takuar të mërkurën me homologun e tij nga Lihtenshtajni, Daniel Risch, në New York, ku po mbahet Java e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se ky takim është mbajtur teksa përfaqësues të të dy qeverive po zhvillojnë raundin e katërt të diskutimeve rreth marrëveshjes për EFTA.

“Për çka kryeministri u shpreh optimist për finalizimin e saj e që do të kontribuonte në rritjen e raporteve ekonomike dhe tregtare”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se Kurti e ka falënderuar Risch për mbështetjen e Lihtenshtajnit për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian.

“Në kuadër të fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale, kryeministri Kurti dhe kryeministri Risch bashkë diskutuan edhe për mundësitë për lehtësimin e bashkëpunimit tregtar përmes eliminimit të tatimit të dyfishtë”, thuhet tutje në komunikatë.

Ky është takimi i parë ndërmjet dy kryeministrave.