Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka vlerësuar si arritje historike hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë, në një ceremoni të organizuar nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (ASHNA) të mërkurën.
Me hapjen e korridoreve ajrore me Shqipërinë, Kurti ka thënë se kjo rrit mundësinë për çmime më të përballueshme të biletave dhe mbrohet ambienti më mirë.
“Gjithashtu, shkurtohet koha e fluturimeve për tetë deri në 12 minuta. Është arritje historike”, ka thënë Kurti.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se hapje e korridoreve të reja ajrore do të ndikime të shumëfishta, përveç lirimit të biletave dhe shkurtimit të udhëtimeve.
“Ka rëndësi të veçantë sepse do të ketë më pak djegie të kerozinës, më pak lirim të CO2-shit, më pak ndotje të ambientit”, ka deklaruar Aliu.
Samir Bllacaku, drejtor i ASHNA-së, ka thënë se ky është hap i rëndësishëm për shërbimet ajrore në Kosovë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, ka theksuar se kjo është me të vërtetë storie e suksesit për Kosovën e aleatët e saj.
“E kemi trajtuar këtë çështje bashkë me autoritetet e AAC-së, ASHNA-s, NATO-s, Zvicrës e SHBA-së. Theksoi se tash nuk është e nevojshme që aeroplanët që vinë nga vende si Evropa qendrore kah Maqedonia, gjë që e zgjaste rrugën. Ka vetëm fitues nga kjo, kështu që herën tjetër kur të shkoj ta vizitoj vajzën time në Vjenë do t'i kursej 20 minuta", është shprehur Rohde.
Hapja e korridoreve me Shqipëria u njoftua në fund të muajit të kaluar. Që nga paslufta, më 1999, fluturimet nga dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë realizuar vetëm përmes korridorit ajror që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Marrëveshja me Shqipërinë, për ta shfrytëzuar korridorin ajror të këtij vendi, është arritur në vitin 2020.
Kjo marrëveshje ka paraparë hapjen e dy pikave koordinuese ajrore, Kukad dhe Arbër.
NATO: Po ndihmojmë në zgjerimin e trafikut ajror civil në të gjithë Ballkanin Perëndimor
NATO ka deklaruar se linjat e reja ajrore civile të cilat u krijuan në të gjithë hapësirën ajrore shqiptare më 24 janar 2024, janë bërë për t’i lehtësuar fluturimet drejt dhe nga aeroporti i Prishtinës.
Përmes një komunikate të publikuar në portalin e tyre NATO ka thënë se ky zhvillim i ri është rezultat i përpjekjeve të kryera nën një proces të udhëhequr nga NATO që synon normalizimin e trafikut të aviacionit civil në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Linjat e reja do të ndikojnë pozitivisht në aviacionin civil dhe do të ofrojnë përfitime të konsiderueshme, duke përfshirë kohë më të shkurtra fluturimi, konsum më të ulët të karburantit dhe reduktim të ndotjes. NATO ka mbështetur procesin e normalizimit të përdorimit të hapësirës ajrore mbi Kosovë që nga viti 1999, duke udhëhequr konsultimet e njohura si “Takimet e Normalizimit të Aviacionit Ballkanik”. Në këto takime marrin pjesë rregullisht përfaqësues të vendeve aleate, autoritetet e navigacionit ajror, autoritetet ushtarake kombëtare dhe organizatat ndërkombëtare përkatëse, duke përfshirë Organizatën Ndërkombëtare të Aviacionit Civil, Agjencinë Evropiane të Sigurisë së Aviacionit dhe EUROCONTROL, ndër të tjera”, thuhet në komunikatë.
NATO ka deklarua se në vitin 2014, hapësira e sipërme ajrore mbi Kosovë u rihap dhe kjo u bë e mundur nga kontributet e ofruara nga Hungaria dhe roli i kryer nga Ofruesi i saj i Shërbimit të Navigimit Ajror (HUNGAROCONTROL), i cili mori përsipër përgjegjësinë për të kontrolluar fluturimet.
“Në vitet e fundit, përmes Takimeve Ballkanike për Normalizimin e Aviacionit, NATO lehtësoi zyrtarizimin e një Marrëveshje Kornizë ndërmjet KFOR-it dhe Islandës. Autoriteti i Sigurisë së Transportit të Islandës (ICETRA) tani po vepron si funksion i mbikëqyrjes së sigurisë në mbështetje të komandantit të KFOR-it, i cili ruan autoritetin parësor për përdorimin e hapësirës së poshtme ajrore mbi Kosovë, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999. ICETRA kryen shqyrtimi i të gjitha zgjidhjeve teknike që mundësojnë vendosjen e rrugëve të reja direkte, në hapësirën e poshtme ajrore, ndërmjet Prishtinës dhe qyteteve të tjera”, thuhet ndër të tjera në njoftim.