Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e dënon fuqishëm “sulmin me elemente terroriste” ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, duke shtuar se ky akt dhune është orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve.
Kurti ka shkruar në Facebook se është brengosëse që janë të lirë persona të lidhur me kryeterroristin Milan Radoiçiq, teksa shtoi se ata “po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”.
"Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese. Përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë”, ka thënë ai.
Kurti u shpreh se sulmi tinëzar me granatë është “orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës”.
Ai shtoi se institucionet po i kryejnë hetimet për t’i sjellë para drejtësisë autorët e aktit, teksa tha se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal. Kurti deklaroi se s’do të lejohet asnjë përpjekje për të sfiduar rendin kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve.
“Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, tha ai.
Haradinaj: Kosova s’guxon të kthehet në strehë të terroristëve, nevojitet koordinimi me NATO-n

Edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur sulm terrorist aktin ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan.
Ai ka thënë se sulmi i mbrëmshëm është vazhdimësi e “logjikës terroriste të lidershipit në Serbi”.
Sipas tij, këto sulme dëshmojnë qëllimet agresive të Serbisë, andaj sipas tij, Kosova nuk guxon të bëhet strehë e terroristëve dhe për këtë nevojitet koordinim i fuqishëm me aleatët perëndimorë.
“Policia dhe institucionet e sigurisë po dëshmojnë qartë aftësinë dhe gatishmërinë për t’i sjellë para drejtësisë ata që guxojnë të cenojnë rendin dhe ligjin në Kosovë. Përkrahja për këto institucione duhet të jetë e pa rezervë nga qeveria e Kosovës. Kosova nuk guxon të kthehet në strehë të terroristëve dhe akteve terroriste, për këtë arsye edhe kërkohet bashkëpunim dhe koordinim i fuqishëm me aleatët tanë të NATO-s në krye me SHBA”, ka thënë ai.
