Arbëri

Kurti e Lajçaku në të njëjtin simpozium në Greqi, s`tregohet nëse u takuan

Kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë në panelin për Ballkanin në Simpoziumin SYMI në Greqi.

Pjesë në këtë ngjarje, por në një panel tjetër njoftohet të ketë qenë edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Zyra e Kryeministrit në komunikatën e dërguar nuk ka treguar nëse ka pasur bashkëbisedim mes Kurtit e Lajçakut.

“Ky bashkëbisedim i parapriu dy paneleve diskutuese për Ballkanin, në njërin prej të cilit mori pjesë emisari e ndërmjetësi evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak”, thuhet në njoftim.

Por tutje në komunikatë thuhet se në kuadër të edicionit të 25-të të Simpoziumit, Kurti zhvilloi një bashkëbisedim me ish-kryeministrin grek, George Papandreou.

“Kurti e falënderoi për organizimin e këtij simpoziumi në të cilin marrin pjesë politikanë e diplomatë progresistë, akademikë e ekspertë të shquar. Në pyetjet e ish- kryeministrit grek, ai njoftoi audiencën me punën e institucioneve në Kosovë, me theks për përparimin demokratik, ekonomik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, politikat sociale dhe pluralizmin politik”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se u diskutua edhe për raportet midis shteteve në Ballkan, integrimin evropian dhe marrëveshjen bazike me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve.