Pushtimi rus i Ukrainës dhe implikimet e sigurisë për Evropën janë shtjelluar në Forumin për Demokraci në Antalia. Atje janë duke qëndruar presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, i cili gjatë ditës ka zhvilluar disa takime. Për dialogun dhe ndërmarrjen e hapave konkretë në kuadër të tij, kreu i ekzekutivit ka biseduar me emisarin e posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak
Ndërmarrja e hapave konkretë në bisedimet Kosovë- Serbi është diskutuar në takimin mes emisarit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, dhe kryeministrit Albin Kurti, gjatë takimit të tyre në Turqi. Që të dy kanë marrë pjesë në Forumin për Diplomaci në Antalia, derisa pas takimit me Kurtin, Lajçaku e ka ndarë qëndrimin e tij.
“Sot në mëngjes në Antali pata një diskutim të dobishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për hapat konkretë të ardhshëm për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët në rrethanat aktuale”, ka shkruar Lajçak.
Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, që nga korriku i vitit të kaluar është zhvilluar vetëm në nivel të ekipeve negociatore, derisa një takim mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka kohë që është paralajmëruar. Edhe Kurti, edhe Vuçiq, janë në pritje të ftesës nga ndërmjetësuesi i bisedimeve, Bashkimi Evropian. Zyrtarët e lartë të tij, të cilët janë të angazhuar në dialogun mes dy shteteve, kanë deklaruar se janë të interesuar për një takim nga i cili do të arrihet diçka konkrete, referuar dy takimeve të fundit, atij në qershor e korrik e nga të cilët nuk ishte arritur asnjë rezultat.
Të shtunën në panelin e diskutimit “Përfaqësimi i Ndryshimit”, kryeministri Albin Kurti së bashku me liderë të tjerë kanë diskutuar për rininë, ashtu si edhe të drejtën në punësim. Kurti nga zyra e tij është cituar të ketë thënë se “ndryshimi politik ka nevojë për një lëvizje: një kauzë, një organizatë dhe një përpjekje”.
Në këtë panel, kryeministri Kurti ishte së bashku me kryeministrin e Bullgarisë, Kiril Petkov, presidentin e Guinea Bisaut, Umaro Sissoco Embalo, dhe sekretaren e përgjithshme të Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq- Buriq. Gjatë qëndrimit të tij në Turqi, Kurti është takuar edhe me zëvendëskryeministrin e Letonisë, e me të cilin ka thënë se kanë diskutuar “për pushtimin rus të Ukrainës dhe implikimet e sigurisë për gjithë Evropën”
“Diskutuam për pushtimin rus të Ukrainës dhe implikimet e sigurisë për të gjithë Evropën me zëvendëskryeministrin e Letonisë. E falënderova për kontributin e Letonisë në KFOR dhe mbështetjen për agjendën tonë të integrimit në BE”.
Krahas Kurtit, në Forumin e Demokracisë në Antalia është duke marrë pjesë edhe presidentja Osmani.
Të shtunën ajo është takuar me sekretaren e përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmid. Sipas Osmanit, në këtë takim ajo ka theksuar se “Kosova qëndron pranë aleatëve në këtë kohë sfiduese dhe e gatshme për të mbështetur qytetarët ukrainas në përpjekjet humanitare globale”.
E për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Malit të Zi, Osmani tha se ka diskutuar me mandatarin për kryeministër, Dritan Abazoviq.
“Diskutuam për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve tona tashmë të shkëlqyera fqinjësore dhe potencialin e jashtëzakonshëm për të avancuar më tej bashkëpunimin Kosovë-Mal të Zi në dobi të popullit tonë”.
Ka qenë Abazoviq ai që ka shkruar për takimin me Kurtin e Osmanin.
“Ballkani Perëndimor ka nevojë për një imazh të ri”, citohet të ketë thënë i nominuari Abazoviq. Ai ka shkruar se i forcojnë marrëdhëniet fqinjësore bazuar në respekt të ndërsjellë. “E kaluara të lihet prapa dhe të krijohet e ardhmja në bazë të vlerave paqësore universale”, ka shkruar Abazoviqi në Twitter.
Forumi për Demokraci ka nisur të premten e do të përmbyllet të dielën.
Të premten, ministrja e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, ka paralajmëruar angazhim të shtuar të Gjermanisë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, pas zgjedhjeve presidenciale serbe, që do të mbahen më 3 prill. E gjatë qëndrimit të saj në Kosovë, dy ditë më parë, ajo ua ka bërë të qartë krerëve të shtetit, se dialogu me Serbinë duhet të jetë i vendosur para aspiratës së Kosovës për anëtarësim në BE e madje edhe para kërkesës për statusin e shtetit kandidat.