Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje se presidenti i ardhshëm i Kosovës duhet të jetë një figurë konsensuale, me mbështetje sa më të gjerë politike dhe qytetare.
Kurti ka thënë se për këtë çështje dëshiron të arrihet një marrëveshje me partitë e tjera politike, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja.
“Ju e keni parasysh qëndrimi i LVV-së, si fituese e zgjedhjeve, është që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual, me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull. Të jetë personalitet që ka merita dhe kontribut, vlera kombëtare e qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e shoqëri”, ka thënë Kurti të premten pas diplomimit të 100 kadetëve të rinj në Shërbimin Korrektues.
Ai shtoi se synimi është që përmes një marrëveshjeje për presidentin të shmanget mundësia e shkuarjes në zgjedhje të reja. Shtoi se janë të gatshëm për bisedime shteruese për të gjetur emrat konsensualë për president.
“Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, formimi i Qeverisë nuk janë sfida. Sfidë është zgjedhja e presidentit. Prandaj duhet të merremi vesh. Jemi të gatshëm të bëjmë diskutime shteruese për emrat që mund t’ia japim nënshkrimet dhe të kandidojnë. Dikush që është jashtë skenës aktuale politike, jashtë polemikave ditore partiake dhe që është figurë unifikuese”, deklaroi ai.
Gjatë ditës së djeshme, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) doli me qëndrim të ri. Ka thënë se heq dorë nga kërkesa për presidentin dhe për bashkëqeverisje me VV-në, derisa u shpreh e gatshme të diskutojë për një emër konsensual për president.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka bërë të qartë se nuk do të zhvillojë diskutime me VV-në, ndërsa Aleanca ka kushtëzuar çdo diskutim me përmbushjen e gjashtë kërkesave të saj.
Haziri: Ka me iu dalë tymi atyre që LDK-së iu largohen nga bashkëpunimi
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, i ka reaguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pasi ky i fundit të premten tha se oferta për bashkëqeverisje me LDK-në “nuk është pak”.
Haziri e ka quajtur kontroverse LVV-në duke thënë se deklaratat e Kurtit bien ndesh. Ai ka theksuar se LDK-ja i qëndron pas deklarimit për votimin e një presidenti konsensual.
“Se sa është kontraverse situata brenda VV-së pasqyrohet nga deklaratat e kryetarit të saj. Deri dje tha se ‘po lypin shumë e nuk ju jap’, ndërsa sot tha se ‘po ju ofroj shumë e janë tërheq’. LDK ka dal dje nga procesi i bashkëpunimit si ofertë drejt shkaktimit të proceseve politike. Ne e mbajmë fjalën për President konsensual, por konstituimi i Kuvendit është hapi kryesor për me pasë President dhe Qeveri”, ka shkruar ai në Facebook.
Haziri ka shtuar se hapi i parë është konstituimi i Kuvendit.
“Ka me ju dal tymi herët a vonë atyre që LDK ju largohet nga bashkëpunimi. Kthehu prapa dhe e gjeni vetën shpejtë. Ne e kemi paguar çmimin tonë. Kemi përballu procese edhe më të rënda se kjo”.
Kurti mirëpret qëndrimin e Abdixhikut, fton PDK-në e Aleancën për president konsensual
Kryeministri në detyrë dhe njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përshëndetur qëndrimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për gatishmërinë e kësaj partie për të diskutuar rreth zgjedhjes së një presidenti konsensual. Megjithatë, Kurti ka thënë se LDK-ja është dashur të hyjë në bashkëqeverisje me Vetëvendosjen. Ai u ka bërë thirrje edhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës që të ulen në një tryezë për të gjetur një figurë unifikuese për president, duke theksuar se presidenti nuk mund të jetë vetëm i VV-së dhe LDK-së.
Kurti ka thënë se e ka përcjellë mbrëmë deklaratën e Abdixhikut, i cili ka bërë të ditur se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë, por është e gatshme të diskutojë për emër konsensual për president.
“E ndjeka mbrëmë qëndrimin e deklaratën publike të mikut tim Lumir Abdixhiku, i cili tha se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë. Besoj që LDK-ja është dashur të hy në bashkëqeverisje, të kemi marrëveshje politike. Marrëveshja nuk është e thënë të jetë identike me rezultatin e zgjedhjeve, 53 me 18 deputetë, por edhe deformim i rezultatit nuk mund të jetë. Me 18 deputetë ta marrësh kryetarin e Kuvendit nuk është pak”, ka thënë Kurti të premten pas diplomit të 100 kadetëve në Shërbimin Korrektues.
Kurti ka dhënë detaje mbi diskutimet me LDK-në dhe ofertën për bashkëqeverisje.
“Kur e kemi parë që nuk janë të interesuar për kryetarin e Kuvendit, oferta jonë qysh në pranverë është ripërsëritur tani: Nëse VV-ja do ta kishte kandidatin për president e që ishte Glauk Konjufca, atëherë LDK-ja ta marrë zëvendëskryeministrin dhe katër ministri. Nëse kandidati për president është konsensual, atëherë ta marrë zëvendëskryeministrin dhe tri ministri. Sepse VV-ja po heq dorë nga presidenti. Besoj që oferta për kryeparlamentarin dhe për bashkëqeverisje, ku kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ta zëmë do të bëhej zëvendësi im nuk është pak, nuk do të ishte pak edhe sikur të ishte rezultati më i ngushtë e lërë me që ishte 53 me 18”, deklaroi ai.
Kryeministri në detyrë e përshëndeti qëndrimin e Abdixhikut për president konsensual, por kërkoi edhe përfshirjen e PDK-së dhe Aleancës.
“E përshëndes thirrjen e Abdixhikut (për gatishmërinë për diskutim për president konsensual v.j.), por të jenë edhe partitë e tjera. Presidenti të jetë gjithëpërfshirës, të mos jetë vetëm VV-ja e LDK-ja”, deklaroi Kurti.
Ai bëri të ditur se mbrëmë, pas deklarimit të Abdixhikut, u ka shkruar kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, me kërkesën që të takohen sa më shpejt dhe të diskutojnë për zgjedhjen e presidentit e të flasin për emra konkretë, duke potencuar se ka dhjetëra të tillë.
“I kam shkruar të tre kryetarëve mbrëmë me këtë ide që sa më parë të takohemi dhe të merremi vesh për presidentin. Duhet të takohemi, njëmend të flasim për karakteristikat e figurës presidenciale, por për besë duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë. A më së shumti humbim kohë duke shkuar në zgjedhje. Unë mendoj që ka me dhjetëra të tillë në shoqërinë tonë, në univeristetet tona, në akademinë tonë, në jetën politike. Ata që kanë kontribuar në rezistencë paqësore, ata që kanë kontribuar në luftë çlirimtare, ata që kanë kontribuar në shtetndërtim demokratik. Kemi me dhjetëra figura që mund të jenë President”, ka thënë Kurti.
Gjatë ditës së sotme, nga salla e Kuvendit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se pa u kthyer procesi i formimit të institucioneve në binarët kushtetues, Kurti s'ka kredibilitet të hapë tema madhore shtetërore.
Ndërkohë, Aleanca po insiston se pa u plotësuar gjashtë kushtet e saj, nuk do të hyjë në asnjë lloj negociate.
Legjislatura e 11-të e Kuvendit ka mbetur pa u konsistuar pasi seanca që u thirr më 6 gusht nuk arriti të përfundojë në dy tentativat e deritanishme. Kryetari i VV-së, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për diskutime rreth çështjes së presidentit. Nga procesi i konstituimit kanë mbetur të votohen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.