Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar demonstratat e vitit 1981 në 44-vjetorin e kësaj ngjarje, duke thënë se megjithëse u shtypën dhunshëm nga policia jugosllave, rebelimi i studentëve është kthyer në inspirim për një rezistencë gjithëpopullore.
“Të tjera demonstrata u organizuan edhe më 26 mars, pastaj më 1 dhe 2 prill, që protestat studentore i kthyen në demonstrata gjithëpopullore. Ato u shtypën me dhunë nga policia, kurse në muajt dhe vitet pasuese, autoritetet jugosllave bënë mijëra arrestime arbitrare, gjyqe dhe burgosje politike, duke e bërë Kosovën vendin me numrin më të madh të të burgosurve politikë për kokë banori në gjithë Evropën”, ka shkruar tutje Kurti në “Facebook”.
Ai tutje ka thënë se pas demonstratave të ‘81-tës shumë organizata politike ilegale kanë fituar forcë, duke e mbajtur gjallë shpirtin e revoltës popullore dhe të rezistencës për një Kosovë të lirë.
“Brezi i demonstruesve dhe aktivistëve të vitit 1981, ishin shtyllë e grupeve themeltare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e drejtë në dekadën pasuese, e çliruan Kosovën në qershor të vitit 1999. Kështu, parulla popullore ‘Kosova Republikë’, u bë Deklaratë Kushtetuese më 2 korrik 1990 dhe Kushtetutë e Kaçanikut më 7 shtator 1990 drejt realitetit politik të shpallur më 17 shkurt 2008, në formacionin politik e juridik të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur”, ka përkujtuar tutje Kurti.
Ai më tej ka thënë se këto demonstrata duhet të kujtohen me nderime dhe respekt për studentët dëshmorë, organizatorët, të plagosurit e të burgosurit.