Derisa sanksionet e BE-së ndaj Kosovës mbeten në fuqi, kryeministri Albin Kurti thotë se nuk e di kur mund të hiqen ato tek i sheh si problematike dinamikat e brendshme të BE-së. Pas marrjes së kryesimit të Presidencës së Këshillit të BE-së nga Polonia, presidentja Vjosa Osmani ka thënë se ka ardhur koha që masat të hiqen dhe Kosova të marrë statusin e vendit kandidat. E në Bashkimin Evropian nuk treguan nëse do të shqyrtohen aspektet që lidhen me Kosovën, të cilat nuk figurojnë në mesin e prioriteteve të presidencës polake
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ua ka lënë “fajin” dinamikave të brendshme të Bashkimit Evropian për mungesën e vendimmarrjes sa i përket heqjes së sanksioneve ndaj Kosovës. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, Polonia do ta kryesojë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian.
Por shefi i ekzekutivit ka thënë se nuk mund të japë një datë se kur ato mund të hiqen masat.
“Madje edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë së jashtme dhe siguri, zëvendës/presidenti i Komisionit Evropian, Joseph Borrell, në mandatin e tij kur ishte dërgoi një raport 27-es së Bashkimit Evropian, iu tha atyre hiqni masat për Kosovën. Mirëpo janë disa dinamika të brendshme në Bashkimin Evropian për të cilat fatkeqësisht po e pëson Kosova. Unë punoj e uroj që të hiqen sa më parë por nuk mund të japë një datë të caktuar për këtë gjë, për shkak se nuk është se ia kemi vënë ne masat vetes por ato na janë vënë padrejtësisht neve”, ka thënë Kurti në një intervistë për “Kosovapress” të hënën.
Ai ka shtuar se, arsyet pse ishin vendosur masat më nuk qëndrojnë tek ka theksuar se rreziku për rieskalim të situatës në veri vjen vetëm nga Serbia.
“Tash deeskalimi në veri ka ndodhur, ne urojmë që të mos ndodh rieskalimi. Ka pasur përpjekje për rieskalim. Këto granatat e dorës që hidhen herë në stacion të policisë e herë në ndërtesa të komunës, ose përpjekja për ta hedhur komplet në erë kanalin Ibër Lepenc, janë përpjekje për rieskalim. Por të gjithë e dinë se qeveria e Republikës së Kosovës nuk është përgjegjëse për këtë”, ka theksuar Kurti.
Sipas tij, Kosova nuk ka humbur milionat si pasojë e masave, porse ato vetëm janë bllokuar.
“Unë nuk mendoj se janë humbur, është e vërtetë se janë bllokuar. Interesante është se viktima e parë e masave të Bashkimit Evropian ka qenë ministri im Nenad Rashiq të cilit iu anuluan takimet në Bruksel. E mbaj mend shumë mirë ishte fillim vera e vitit 2023, Bashkimi Evropian për shkak të katër kryetarëve në ndërtesat e komunave veriore, vendosi masa ndaj neve ndonëse u pa qartë që KFOR-i i përjetoi me dhjetëra të lënduar rëndë e lehtë nga bandat fashiste të orkestruara nga Serbia dhe kjo s’kishte të bëjë me qeverinë e Kosovës”, ka thënë shefi i ekzekutivit.
E presidentja Vjosa Osmani ka përmendur dy aspekte kryesore për të cilat pret angazhim të presidencës polake në raport me Kosovën. Ajo ka shkruar në fillim të këtij viti se ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe që masat e vendosura nga BE-ja të hiqen.
“Mezi pres të vazhdojmë punën tonë me presidentin Andrzej Duda dhe kryeministrit Donald Tusk për të siguruar të ardhmen që Kosova e meriton. Ka ardhur koha për dhënien e statusit kandidat dhe heqjen e masave të padrejta të BE-së ndaj popullit të Kosovës”, ka shkruar Osmani.
Në Bashkimin Evropian, që fundvitin e kaluar zgjodhi lidershipin e ri, nuk kanë treguar nëse do ta kenë prioritet heqjen e masave, mbështetur në rekomandimin pozitiv që kishte dhënë ish-përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të jashtme dhe siguri, Joseph Borrell.
Prioriteti kryesor gjatë presidencës polake i cili përmendet në faqen zyrtare të BE-së është siguria e vendeve anëtare.
“Polonia merr presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian në një kohë pasigurie dhe shqetësimi. Evropa po përballet me pasojat e agresionit të armatosur të Rusisë kundër Ukrainës dhe nevojën për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse. Ne jemi dëshmitarë të rritjes së tensioneve gjeopolitike, erozionit të rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe sulmeve hibride që synojnë demokracinë dhe sigurinë evropiane. Për Evropën, kjo është koha e gjykimeve dhe e vendimeve. Bashkimi Evropian duhet të mbrojë veten dhe qytetarët e vet si dhe të kujdeset për fqinjët e tij të afërt. Ai duhet t'u japë evropianëve një ndjenjë sigurie dhe perspektivë për zhvillim”, shkruan në faqen zyrtare.
Veç sigurisë, prioritet tjera të listuara lidhen me krijimin e një mbrojtjeje ndaj ndërhyrjeve të jashtme dhe dezinformatave, garantimi i sigurisë dhe lirisë për bizneset, tranzicioni energjetik, agrikultura dhe siguria shëndetësore.
Në qershorin e 2023-ës, BE-ja pati konfirmuar se shtetet anëtare janë dakorduar t’i vendosin masa me efekt të menjëhershëm Kosovës. Ato u vendosën pas tensioneve në veri të Kosovës, përkatësisht pas shkuarjes së kryetarëve shqiptarë në objektet kryesore komunale, për të cilat Kosova u mbajt përgjegjëse. Një vit më vonë, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, konfirmoi se në raportin e tij dorëzuar Këshillit të Ministrave të BE-së, ka rekomanduar heqjen e masave. Por ka munguar vendimmarrja në Këshillin e BE-së që përfaqësohet nga vendet anëtare.
Masat kanë prodhuar edhe pasoja financiare për Kosovën. Siç pati konfirmuar BE-ja, është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova edhe në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.
Masa tjetër ka prekur edhe punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Megjithatë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe institucione të saj nuk janë duke i zbatuar të gjitha sanksionet që në fillim ia patën vendosur Kosovës për shkak të situatës në veri.
Mes tjerash, masat përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime ishte thënë se do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes. Por liderët e shtetit patën takime me homologë të vendeve anëtare.
Në margjinat e Procesit të Berlinit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim bilateral me kancelarin gjerman Olaf Scholz, prej të cilit ka kërkuar mbështetje për largimin masave të BE-së.
Edhe pse zyrtarisht Bashkimi Evropian pohon se masat ndaj Kosovës lidhen vetëm me hapat për uljen e tensioneve, “KOHA” pati raportuar se heqja e tyre lidhet edhe me përparimin në procesin e dialogut.
Disa diplomatë të BE-së patën pohuar për “KOHËN” se “pengesë janë disa vende anëtare, sidomos ato që nuk e kanë njohur Kosovën”, por kanë përmendur edhe hezitimin nga Franca dhe Italia. Kundër thuhet se janë edhe Sllovakia dhe Rumania, që mund të jetë edhe rezultat i lobimit nga Serbia që të mos hiqen masat.
Mosbesimi nga ana e disa vendeve anëtare ndaj Kosovës ishte thelluar sidomos pas paralajmërimeve të qeverisë për hapjen e urës mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve. Për BE-në, ky veprim si dhe mbyllja e zyrave ilegale serbe në veri janë “të njëanshme dhe të pakoordinuara”.