Në përvjetorin e masakrës së Lybeniqit, të mbijetuarit e familjarët e viktimave kanë përsëritur kërkesën për drejtësi. Çerekshekulli më parë në këtë fshat të Pejës u ekzekutuan 59 civilë shqiptarë duke çuar në 79 numrin e të vrarë, bashkë me ata të një viti më parë. Më i riu ishte vetëm 2-vjeçar
Kryeministri Albin Kurti i ka bërë thirrje prokurorisë që me urgjencë të adresojë rastet e krimeve të luftës.
Të hënën, në ceremoninë përkujtimore në 25-vjetorin e masakrës së Lybeniqit, ai ka thënë se dëshmitarët çdo vit janë më të moshuar e më të paktë në numër.
“Prokurorët kanë kushte të mira të punës dhe gëzojnë paga të larta. Kemi mungesë të proceseve gjyqësore dhe mospërputhje të të dhënave , andaj kemi mundësuar gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, madje që nga viti 2019. E, gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që kriminelët e luftës të përballen me drejtësinë sepse këto krime përveçse nuk falen, as nuk vjetrohen kurrë, e për të dokumentuar të gjitha krimet më saktësi kemi funksionalizuar institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë”, ka thënë Kurti gjatë ceremonisë.
Në mëngjesin e 1 prillit 1999, ushtria e policia serbe, bashkë me banorët serbë të Lybeniqit, rrethuan e më pas hynë në brendi të fshatit, ku masakruan 59 banorë, duke e çuar në 79 numrin e të vrarëve, bashkë me ata që u ekzekutuan më 1998.
Muhamet Ukshinaj ishte 2-vjeçar dhe më i riu që pësoi nga kjo masakër. U vra edhe nëna e tij Shyhretja, që ishte shtatzënë.
Cyme Bushati është ndër të mbijetuarat e masakrës.
“Burri fjalën e fundit ma ka thënë mos u ndaj prej fshatarëve dhe as prej kolonës , atëherë na i kanë ofruar automatikët te koka dhe na kanë thënë ecni , ne ju kemi thënë nuk dëshirojmë të ecim, na lëshoni të gjithëve ose na vrani të gjithëve, atëherë kemi ecur teposhtë, kjo ka qenë fjala e fundit që ma ka thënë, tani kur kemi ardhur këtu në kthesë jemi ndalur dhe i kemi dëgjuar krismat atje”, ka thënë Bushati.
E Cyme Huskaj ka rrëfyer se nga masakra nga gjinia mashkullore ka shpëtuar vetëm një.
“Tash kemi mbetur vetëm ne femrat shyqyr që e kemi një djalë, ka fëmijë, ka dy djem e një çikë. Shyqyr prej zotit që e kemi, por po na mungon ky, sepse nuk e dimë se si ka shkuar në atë dynja. Veç po e kujtojmë se dita e kiametit ka qenë sot për të gjithë, s’kemi çka me bo, inshallah kush i ka të tjerët i kanë me jetë të gjatë se s’po kemi çka me bë”, ka deklaruar ajo.
Ndërkohë Zyfer Alimehaj, banor i fshatit, ka kërkuar drejtësi për viktimat. Ai në këtë masakër humbi babanë.
“Nuk i përkujton askush këta që kanë masakruar në mënyrën më barbare, e shoh prej larg se çka po bëhet, por për këta nuk e merr parasysh askush që janë masakruar në mënyrën më barbare vetëm se kanë qenë kundër regjimit jugosllav e ata i kanë vra këta”, është shprehur ai.
Masakrën në këtë fshat të Pejës të hënën e kanë përkujtuar edhe presidentja Vjosa Osmani.
“Tendenca për shfarosje të popullit shqiptar nuk kurseu as Muhametin 18 muajsh dhe Leonardin, 7 vjeçar. Është obligim i yni institucional që asnjëherë të mos i ndalim përpjekjet tona për vendosjen e drejtësisë për viktimat, duke i dhënë kuptim lirisë sonë dhe duke e mbrojtur të vërtetën. Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për liri!”, ka thënë Osmani.
Në ceremoninë e përkujtimit të hënën ishte edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Sa herë vijmë në Lybeniq, një pjesë e zemrës mbetet këtu, me familjarët që ende presin që të dashurit e tyre të kenë një varr për t'iu vendosur lule. Lybeniqi u masakrua edhe më 25 maj 1998, e java e parë e prillit 1999 ishte e kobshme për këtë fshat e zonën përreth, që u bënë cak të represionit të tmerrshëm e të paparë. Armiku ekzekutoi mbi njëqind shqiptarë të paarmatosur nga fshatrat Lybeniq, Buçan, Rashiq, Loxhë, Kosuriq e Prilep. A vritet njeriu, vetëm se e ëndërron lirinë e atdheut të tij? Këtë e bëri pa mëshirë barbaria e shtetit fashist serb që nuk kurseu askënd që i doli para, gra, fëmijë e pleq. Asnjëherë nuk do t'i harrojmë njerëzit tanë, që me jetët e tyre iu bënë mburojë kësaj toke”, ka shkruar ai në Facebook.