I është dhënë jehonë një paralajmërimi të bërë nga kryeministri Albin Kurti për synimet e Serbisë që, me luftë t’i marrë tri shtete të rajonit, përfshirë Kosovën. E në anën tjetër, Beogradi zyrtar ka akuzuar Policinë e Kosovës për shkelje të territorit. Analistë të çështjeve politike kanë thënë se zhvillimet në Ballkanin Perëndimor do të mund të ndikohen prej epilogut që mund ta ketë lufta në Ukrainë
Kryeministri Albin Kurti ka alarmuar për rrezikun e një lufte që mund ta nisë Serbia në rajon.
Gazeta zvicerane NNZ, ka raportuar se në një diskutim të organizuar nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, Kurti ka thënë që shteti serb nuk ka hequr dorë nga hakmarrja në Kosovë.
“Aspak, Vuçiqi thjesht po e mashtron Perëndimin. Elita që e dominon vendin nuk ka hequr dorë kurrë nga projekti i Serbisë së Madhe. Thjesht quhet diçka ndryshe tani, domethënë 'Bota Serbe'. Kjo do të thotë bashkim i të gjithë serbëve në një vend. Kjo do të nënkuptonte shpërbërjen e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Kosovës. Vuçiqi ushtron edhe durim strategjik, por synimi mbetet hakmarrja. Ne duhet të jemi të përgatitur për këtë”, citohet të ketë thënë Kurti.
Kryeministri Kurti e ka përshkruar politikën perëndimore karshi Beogradit zyrtar si naive. Sipas tij, Perëndimi ende e gjykon gabimisht Serbinë. Ai ka folur edhe për zgjedhjen e Donald Trumpit si president i Shteteve të Bashkuara (SHBA), teksa ka thënë se kjo nuk paraqet rrezik për Kosovën.
“Kosova ka punuar mirë me presidentët e të dyja partive. Ajo u çlirua në vitin 1999 nën demokratin Bill Clinton, dhe George W. Bush, një republikan, ishte president kur Kosova u bë e pavarur më 2008”, citohet të ketë thënë Kurti.
Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit të 2023-tës në Banjskë të Zveçanit, i cili është organizuar nga Milan Radoiçiqi që është një nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, liderë të shtetit, por edhe institucione të sigurisë kanë alarmuar se Serbia mund të tentojë sërish ndërhyrjen në Kosovë. Krahas Policisë së Kosovës që është shtuar në numër në veri, prezencën përreth brezit kufitar e ka rritur edhe Misioni i NATO-s në Kosovë - KFOR.
Akuzat për tentim të destabilizimit nuk kanë munguar as nga ana e Serbisë.
Ministria e Mbrojtjes dhe presidenti serb kanë pretenduar të enjten se një grup pjesëtarësh të Policisë së Kosovës, të armatosur rëndë kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë.
“Amerikanët e dinë që Kurti e ka porositur me qëllim. Ai priste që ata persona të vriteshin dhe kjo do të ishte arsye për ta futur NATO-n në konflikt me Serbinë”, ka thënë Vuçiqi për “RTS”.
Ai ka shtuar se herën tjetër Serbia do të reagojë në përputhje me rregullat e plota të ushtrisë.
“Ne po kërkojmë nga amerikanët të na informojnë nëse kemi të drejtë kur themi se Kurti personalisht ka urdhëruar provokimin dhe kalimin e forcave të tij të armatosura në rajonin e fshatit Çirkoviqe”, ka shtuar Vuçiqi.
Por kjo është demantuar nga Policia e Kosovës, e cila i ka quajtur informacione të rrejshme deklaratat e zyrtarëve serbë që kanë për qëllim krijimin e pasigurisë në veriun e Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.
“Policia e Kosovës (PK), me qëllim të informimit të drejtë të opinionit dhe qytetarëve, reagon ndaj disa shkrimeve të publikuara kryesisht në medie serbe, e të cilat i referohen një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, se kinse sipas tyre, një grup pjesëtarësh të armatosur rëndë të Policisë së Kosovës kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare me Serbinë në veri të vendit. Shkrimet e tilla të referuara në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, janë të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Andaj këto shkrime dhe njoftimi i publikuar si i tillë, është një dezinformacion, i cili ka për qëllim të krijoj pasiguri te qytetarët e asaj zone dhe të njollosë punën e Policisë së Kosovës”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.
E Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmuar pretendimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë se më 21 nëntor një grup policësh të Kosovës të armatosur rëndë kanë kaluar në mënyrë të paautorizuar vijën kufitare në fshatin Çirkoviq, në territorin e Komunës së Leposaviqit.
Në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë, në KFOR kanë thënë se situata përgjatë kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është e qetë dhe se po vazhdojnë të ndjekin zhvillimin e ngjarjeve.
“Ne kemi një prani të dukshme dhe fleksibile dhe jemi të pozicionuar mirë për t’u përgjigjur për çdo skenar të sigurisë, në përputhje me mandatin tonë shumëvjeçar që bazohet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999”, kanë thënë në KFOR.
Në fund të përgjigjes, në KFOR kanë thënë se për çështjen nëse Policia e Kosovës ka kaluar ose jo vijën kufitare “drejtojuni autoriteteve serbe për komente të tjera”.
Rreziqet që i kanosen Ballkanit Perëndimor dhe mundësitë për konflikte të reja janë përmendur edhe nga njohës të zhvillimeve në rajon.
Daniel Serwer, ekspert amerikan, këtë e ka ndërlidhur me qasjen që mund ta ketë presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, sa i përket idesë për ndarjen e Ukrainës.
“Ndarja e Ukrainës do të ketë jehonë diku tjetër. Serbia do ta shohë atë si një mundësi për ta marrë veriun e Kosovës. Republika Serbe do të përpiqet të shkëputet nga Bosnjë-Hercegovina. Ambiciet irredentiste në mbarë botën do të lulëzojnë. Kina do të dëshirojë të mbrojë sovranitetin mbi Tajvanin. Izraeli do të aneksojë Bregun Perëndimor dhe Gazën veriore. Dhjetëra mosmarrëveshje kufitare në rajone të tjera do të përkeqësohen”, ka thënë Serwer.
Edhe pse korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë është lansuar si opsion në vitin 2018 nga ish-presidenti, Hashim Thaçi, ai është kundërshtuar fuqishëm nga vende të Bashkimit Evropian (BE), përfshirë Gjermaninë. Ideja e ndryshimit të kufijve nuk ka qenë opsion as për administratën e presidentit Joe Biden, e cila kërkon që mosmarrëveshjet të zgjidhen nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.