Arbëri

Kurti akuzon Serbinë për përshkallëzimin e situatës në veri

“Lidhja e saj me Rusinë, qasja e saj shkatërruese ndaj Republikës sonë dhe armatimi i saj i shpejtë dhe i madh janë tregues se ajo synon përshkallëzimin me synimin për të realizuar ambiciet e saj territoriale. Tri nga katër brigadat e kombinuara të ushtrisë së Serbisë, duke përfshirë 48 bazat operative përpara rreth kufirit të Kosovës, pa përfshirë njësitë e tjera të specializuara, janë të stacionuara në territorin jugor, afër kufirit me Republikën e Kosovës. Kërcënimi nuk është thjesht teorik. Rreziku i një lufte të re është real”, ka deklaruar Kurti në Konferencën e Mbrojtjes të mbajtur në Londër

Kryeministri Albin Kurti e ka akuzuar shtetin e Serbisë se ka për qëllim hapjen e një konflikti të ri në Ballkanin Perëndimor, tek ka përmendur veprimet e tij në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë. 

Gjatë fjalimit të tij në Konferencën e Mbrojtjes në Londër, Kurti ka deklaruar se armatimi i fqinjit verior e shpërfaq synimin për përshkallëzimin e situatës në rajon. Ai ka veçuar kidnapimin e tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat speciale serbe në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi gjatë qershorit të vitit të shkuar si dhe sulmin terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit të 2023-s në Banjskë, si dy raste të kërcënimeve të drejtpërdrejta nga Beogradi zyrtar, i cila, siç ka thënë Kurti, mendon që ka një boshllëk politik dhe të sigurisë që ia mundëson një sjellje të tillë. 

Ai ka shtuar se Kosova nuk është i vetmi vend në rajon që është i rrezikuar nga ndonjë sulm fizik, teksa ka tërhequr vëmendjen edhe tek rreziku që paraqet infrastruktura dezinformuese e Rusisë që e përdor intervenimin e NATO-s për të dezinformuar mbi Perëndimin.  

“Lidhja e saj me Rusinë, qasja e saj shkatërruese ndaj Republikës sonë dhe armatimi i saj i shpejtë dhe i madh janë tregues se ajo synon përshkallëzimin me synimin për të realizuar ambiciet e saj territoriale. Tri nga katër brigadat e kombinuara të ushtrisë së Serbisë, duke përfshirë 48 bazat operative përpara rreth kufirit të Kosovës, pa përfshirë njësitë e tjera të specializuara, janë të stacionuara në territorin jugor, afër kufirit me Republikën e Kosovës. Kërcënimi nuk është thjesht teorik. Rreziku i një lufte të re është real”, ka deklaruar Kurti.

Zbatimi i marrëveshjeve të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian (BE) ka mbetur nën hijen e tensioneve të cilat kulmuan me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar nga një grup paramilitar serb,  me ç’rast ka mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Zgjidhje nuk i është gjetur as çështjes së përdorimit të dinarit serb në Kosovë dhe e cila është përmendur si një çështje që mund t’i rikthejë tensionet. 

Pak ditë pas dështimit të negociatave të zhvilluara në Bruksel mbi këtë çështje, autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri, i cili ka rezultuar me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë. 
BE-ja dhe Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) e kanë dënuar aksionin, duke thënë se ai i përshkallëzon edhe më tej tensionet dhe i minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Opsionet e diskutuara në Bruksel

Opsione të ndryshme janë shtjelluar në takimin e fundit të Brukselit për gjetjen e një zgjidhjeje sa i përket ndikimit te komuniteti serb i zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore (BQK), e cila e përcakton euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë. 

Pala serbe ka kërkuar që të lejohet hapja e një dege bankare serbe, nëpërmjet së cilës do të bëhej distribuimi i pagesave në euro, por duke e shmangur Rregulloren e BQK-së. Kjo është refuzuar nga Qeveria e Kosovës me arsyetimin se kjo do ta nënkuptonte legalizimin e strukturave paralele serbe, prej të cilave nuk do të përfitonin qytetarët serbë.

Në Zyrën e emisarit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk i kanë mohuar dhe as nuk i kanë pohuar këto diskutime tek janë thirrur në konfidencialitetin e negociatave.

“Ne nuk zbulojmë detaje nga negociatat e mbyllura, qëndrimet dhe pikëpamjet e palëve, duke respektuar natyrën diplomatike dhe konfidenciale të bisedimeve. Nga ana e BE-së, ne thamë atë që duhej të thuhej në dy deklaratat e fundit të publikuara”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një përgjigje për KOHËN. 

Pas dështimit të takimit të shtatë me radhë për këtë çështje, lehtësuesi Lajçak ka deklaruar se në mungesë të marrëveshjes është e paqartë se “si do të ndikojë kjo në jetën e përditshme të komuniteteve të prekura në Kosovë”. Ai ka shprehur gatishmërinë për një takim tjetër lidhur me këtë temë, me kusht që palët të tregohen konstruktive në arritjen e një marrëveshjeje.

Propozimi i Serbisë

Kërkesën për hapjen e një ndërmarrje të re e ka përmendur edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tek e ka fajësuar palën kosovare për refuzimin e propozimit.

“Ai (Besnik Bislimi) nuk ka dashur të pranojë gjë, edhe kur ne i kemi ofruar të paguajmë në euro, të krijojmë një ndërmarrje të re biznesi. Të gjitha këto i kanë refuzuar, sepse vetëm po prisnin momentin kur të përfundonte mblidhja e Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, për të filluar mbylljen e institucioneve serbe. Është e qartë se ata nuk duan dialog dhe zgjidhje por përndjekje të serbëve”, ka deklaruar Petkoviq për mediat serbe.  

Sipas zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, pala serbe në vend të komenteve mbi propozimin e Lajçakut ka dërguar propozim të ri që nënkupton vazhdimësi të institucioneve ilegale në veri. 
“Do të thotë, sipas tyre, zgjidhja duhet të kërkohet me kalimin nga një sistem ilegal paralel në një sistem paralel legal, ku nuk ka kurrfarë intereference mes qytetarëve të komunitetit serb dhe atyre shqiptarë dhe në anën tjetër, sipas tyre, zgjidhja është një sistem i cili e siguron edhe më tej mungesën e plotë të transparencës e cila ka qenë një nga qëllimet e rregullores të Bankës Qendrore”, kishte deklaruar Bislimi pas takimit. 

Sipas Bislimit, pala serbe është përpjekur që ta keqpërdorë platformën e dialogut në Bruksel për rregullimin e shërbimeve postare në Kosovë, duke kërkuar të drejtën e një kompanie e cila do të pajisej edhe me licencën si institucion financiar bankar.

Bislimi ka deklaruar se në komentet e dërguara nga pala serbe është thënë se janë dakord të krijohet një ndërmarrje e re në Kosovë, e cila gjatë periudhës së përkohshme do të mund të transferonte paratë në zarfe për ata persona që janë në moshë të shtyrë dhe nuk mund të hapin llogari bankare. 
Sipas qëndrimit të palës serbe, të cilin e ka transmetuar Bislimi, kjo duhet të jetë kompani shtetërore serbe por e krijuar në Kosovë si një etnitet privat “që nuk ka kurrfarë logjike ekonomike”. Sipas Bislimit, pala kosovare ka kërkuar që për arritjen e një marrëveshjeje të ndiqet logjika e ujdive paraprake për Telekomin dhe Energjinë.