Arbëri

Kurti: Plot 30 javë nga sulmi në Banjskë dhe s’ka aktakuzë ndaj Radoiçiqit

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se edhe pas 30 javësh që kur Milan Radoiçiqi ka marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri afrim Bunjaku, nuk ka ende aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit për të. 

Sipas Kurtit, mungesa e aktakuzës ndaj tij do të duhej të problematizohej qysh në fillim. 

“Sot po hymë në javën e 30-të prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit për sulmin terrorist në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku, sulm terrorist për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej, lëre më java e 30 në të cilën hyjmë sot”, ka thënë Kurti të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. 

Kurti ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai ka thënë se raporti i Dora Bakoyannisit rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës dhe pa asnjë kusht shtesë dhe pa fusnotë. 

“Sot gjendemi në një situatë shumë më të favorshme. Raporti dhe opinioni i znj.Bakojanis njeh plotësimin e të gjitha parakushteve dhe qartë tregon se zotimet e tjera të Kosovës duhet të përmbushen pas anëtarësimit. Më 16 prill do ta kemi votimin më të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në KiE. Asambleja Parlamentare pritet ta miratojë opinionin e znj.Bakojanis, i cili rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës pa asnjë parakusht shtesë dhe pa fusnotë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri më tej ka bërë thirrje për diasporën që të dalin në zgjedhjet e 9 qershorit në BE.

“Më 9 qershor është një datë e rëndësishme për Bashkimin Evropian dhe mund të themi për gjithë Evropën. Që nga zgjedhjet e para të Parlamentit Evropian më 1979  kurrë s'ka qenë Evropa më e kërcënuar se ç'ka qenë sot. BE-ja gjithashtu gjendet para zgjedhjeve dhe vendimeve të mëdha, përball agresionit ushtarak dhe fashizmit të diktaturës ruse. Kjo e fundit siç dihet i ka aleatët e vet brenda Evropës. Siç u angazhova në partinë e socialistëve evropianë, anëtarët e lëvizjes sonë në diasporë duhet të dalin në zgjedhje e të nxisin edhe miqtë e dashamirët e tyre. Zgjedhjet evropiane janë një çikë të nënvlerësuara padrejtësisht. E nënvlerësimi mund të jetë fatal. I bëj thirrje ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit. E ftoj diasporën që t'i votojë socialdemokratët e qendrën e majtë si të vetmit që kundërshtojnë ekstremizmat në Evropë”, ka theksuar ai.