Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës e dinë se kush e ka vrarë Astrit Deharin.
Kurteshi ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se edhe Instituti zviceran e ka ngritur hipotezën se për t’u dëshmuar se Dehari nuk është i vrarë, duhen shumë analiza.
“Prokuroria Speciale, Prokuroria e Kosovës dhe Policia e Kosovës i dinë emrin ose emrat e vrasësve. Instituti e ka ngritur hipotezën ku thotë se për të dëshmuar se nuk është i vrarë, duhen shumë analiza. Unë mendoj se Prokuroria, Sylë Hoxha dhe Prokuroria Speciale e dinë emrin ose emrat e vrasësve. Astrit Dehari është vrarë. Janë raporte që duhet t’i marrë edhe Instituti jonë i Mjekësisë Ligjore dhe të mësojë se si duhet punuar shkencërisht”, ka thënë Kurteshi.
Sipas tij, me Prokurorinë dhe Këshillin Prokurorial që ka Kosova, rasti “Dehari” nuk mund të zbulohet kurrë.
“Me këtë Prokurori Speciale që e kemi, nuk zbulohet ky rast. Me këtë përbërje të Prokurorisë, Këshillit Prokurorial dhe Prokurorisë që e kemi ne, nuk zbulohet jo vetëm ky rast por asnjë rast tjetër”, është shprehur Kurteshi.